Pritjet për takimin e 1 Korrikut në Paris

09:30 | 19 June 2019

Çka do të ndodhë me takimin e 1 Korrikut në Paris.

Kosova po bën përgatitjet e duhura për takimin e Parisit që mbahet më 1 korrik, si vazhdimësi e Samitit të Berlinit dhe ku temë e vetme kësaj radhe do të jetë dialogu Kosovë-Serbi, një përpjekje për të arritur një marrëveshje ndërmjet dy vendeve. Ndonëse akoma nuk ka një draft të shkruar për një marrëveshje eventuale, edhe në Prishtinë edhe në Beograd janë skeptikë, nëse takimi i Parisit mund të rezultojë me ndonjë marrëveshje, për shkak se palët kanë qëndrime diametralisht të kundërta.

Në takimin e Parisit më 1 korrik, nikoqirë të të cilit janë presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e shtetit të Serbisë, ndërsa nga pala kosovare tashmë e konfirmuar, se do të marrin pjesë Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, kryeparlamentari Kadri Veseli, ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli, si edhe dy bashkudhëheqësit e ekipit negociator për dialogun, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti.

Rezultatet në Paris me pikëpyetje?

Mediet në Prishtinë dhe Beograd shkruajnë se ka mëdyshje për rezultatet e takimit të Parisit, pasi Kosova nuk po e heq taksën ndaj prodhimeve të Serbisë, kërkesë kjo e vazhdueshme e faktorit ndërkombëtar. Serbia nuk po pranon të rinisë dialogun me Prishtinën pa u hequr taksa. Mirëpo, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, siguron se askush nuk do ta drejtojë gishtin nga Kosova për ndonjë dështim të mundshëm eventual të takimit të Parisit.

“Sa i përket Samitit të Parisit, besoj se është një punë shumë palëshe. Por, ju siguroj që askush s’mund ta drejtojë gishtin nga Kosova, pra Kosova është treguar palë serioze në përgatitjet e veta, pikërisht sa i përket Samitit të Parisit”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Nga ana tjetër, ditë më parë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka hedhur dyshime nëse takimi i Parisit do të mbahet. Ai ka përmendur sërish taksën ndaj produkteve të Serbisë të vendosur nga qeveria e Kosovës, si pengesë për vazhdimin e dialogut.

“Në qoftë se do të ketë takim në Paris, do të jemi në situatë të rëndë. Por, nëse nuk do të ketë takim në Paris, do të jetë edhe më e rëndë ose të shprehem me gjuhën e popullit, do të jemi në një baltë shumë më të madhe, ne dhe i gjithë rajoni”, ka thënë Aleksandër Vuçiq, citon mediumi në Serbi N1. Sipas tij, “Serbia është gjithmonë e gatshme për dialog konstruktiv”, por siç thotë Vuciq, “Serbia nuk do të heqë dorë nga parimet e veta”.

Qëndrimet mbeten të pandryshuara

Njohësit e zhvillimeve në rajon, ndërkaq, janë shumë skeptikë për një rezultat pozitiv nga takimi i Parisit sa i përket dialogut Kosovë-Serbi. Blerim Burjani, analist i tha DW-së, se pozicionet e palëve deri tash nuk kanë ndryshuar, janë të njejta dhe rrjedhimisht në këtë situatë, procesi është në vendnumëro. “Nuk ka ndonjë zhvillim shumë pozitiv paraprakisht. Palët nuk kanë levizur nga qëndrimet e tyre të kundërta dhe nuk ka ndonjë sinjal se gjërat po shkojnë ka ndonjë përafrim. Një dokument strategjik do të ishte mirë të ofrohet apo është dasht shumë më herët të ju ofrohet palëve nga ndërmjetësuesi dhe pastaj me e dikutue këtë dokument kornizë. Për mendimin tim do të duhej të ishte dokument teknik për kufirin”, thotë Blerim Burjani.

Analisti Burjani, thotë se palët, Kosova dhe Serbia nuk duhet të humbin rastin për një marrëveshje të mundshme, për faktin që ndërmjetësues janë dy shtetet më të fuqishme evropiane, Gjermania dhe Franca. “Bisedime të gjera politike nuk mund të ketë më, por vetëm biseda teknike për njohje reciproke. Nuk pres shumë nga ky Samit, por palët nuk duhet ta humbin rastin që iu ofrohet tash, megjithëse Gjermania dhe Franca deri më tash nuk kanë bërë me dije se ka një draft marrëveshje teknike për zgjidhje, së paku nuk ka një dokument publik”, thotë Blerim Burjani.

Një analist tjetër politik Artan Muhaxhiri, thotë se qëndrimi i palës kosovare për ta mbajtur taksën në fuqi edhe përkundër kërkesës së vazhdueshme të partnerëve ndërkombëtarë për heqjen e saj, mund të vërë në pikëpyetje mbajtjen e takimit të Parisit.

“Kryeministri Ramush Haradinaj po vazhdon ta kundërshtojë me këmbëngulësi heqjen e taksës ndaj produkteve të Serbisë. Të gjithë aleatët e Kosovës po e përsërisin se pa largimin e taksës, nuk mund të ketë vazhdim të dialogut. Kështu që është e pritshme që edhe mos të mbahet fare Samiti i Parisit, por edhe nëse mbahet, nuk besojë që do të ketë rezultat për sa kohë që nuk ndryshojnë qëndrimet aktuale të palëve, në këtë rast Kosovës dhe Serbisë”.

Konsultime me delegacionet

Në fillim të këtij muaji ndërkaq në Kosovë qëndroi një delegacion i këshilltarëve diplomatikë nga Gjermania dhe Franca ku diskutuan me udhëheqësit politik kosovar për përgatitjet për takimin e Parisit që mbahet me një korrik. Takimet u zhvilluan me dyer të mbyllura pa praninë e medieve, ndërsa, burime brenda qeverisë thanë, se delegacioni gjermano-francez ka ardhur në Prishtinë me mesazhe të qarta, përmbajtja e të cilave megjithatë nuk u publikua. Diplomatët gjermano-francez sipas burime brenda qeverisë së Kosovës kanë thënë se “takimi i Berlinit dhe takimi i Parisit nuk kanë për qëllim të marrin rolin e lehtësuesit të dialogut apo të zëvendësojnë rolin e BE-së në dialogun Kosovë-Serbi’.

Kosova dhe Serbia ka disa muaj që e kanë ndërprerë dialogun pas vendosjes së tarifës 100% nga qeveria e Kosovës për produktet e Serbisë. Kjo masë sipas udhëheqësve politik kosovar është vendosur për shkak të “agresionit politik dhe diplomatik të Serbisë ndaj Kosovës”, siç thuhet në Kosovë. E Serbia nga ana e saj, nuk pranon që të rikthehet në dialog pa e hequr Prishtina taksën ndaj prodhimeve të Serbisë. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ka paralajmëruar masa të rrepta ndaj Kosovës pas takimit të Parisit, nëse Prishtina nuk e heq taksën ndaj produkteve të Serbisë.

Komento: