Dy vjet më shumë do të qëndroj prapa grilave Ujkan Metaj, i akuzuar se kishte ndihmuar tani të ndjerin Kamer Metaj, për të kryer grabitjen e bankës në Istog, ku si pasojë e kësaj ishte privuar nga jeta, Izet Demaj.
Më 15 mars të vitit 2019, Ujkan Metaj, ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Pejë dhe ishte dënuar me pesë vjet qëndrim prapa grilave.
Por, këtë aktgjykim të Themelores e ka ndryshuar gjykata e shkallës së dytë, e cila atij ia ka rritur dënimin për dy vjet, duke e dënuar Metajn me shtatë vjet qëndrim prapa grilave, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Bazuar në aktgjykimin e saj, Gjykata e Apelit ka vlerësuar se Gjykata Themelore në Pejë kishte shqiptuar dënim të butë ndaj të pandehurit Metaj dhe se dënimi prej shtatë vjetësh qëndrim prapa grilave është në harmoni me shkallën e rrezikshmërisë shoqërore të veprës penale dhe përgjegjësisë penale të të akuzuarit.
Ndërsa, si të pabazuar Apeli e ka refuzuar ankesën e mbrojtjes për uljen e dënimit.“Duke marrë parasysh edhe rrethanat rënduese të konstatuara tani nga kjo gjykatë, rezulton se dënimi i shqiptuar tani të akuzuarit nga Gjykata e Apelit është i drejtë dhe i ligjshëm dhe në harmoni me shkallën e rrezikshmërisë shoqërore të veprës penale dhe me shkallën e përgjegjësisë penale të akuzuarit dhe se me dënimin e shqiptuar do të arrihet qëllimi i dënimit i paraparë në dispozitat e nenit 41 të KPRK-së”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës së Apelit.
Ndryshe, në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 14 mars të këtij viti në Gjykatën Themelore në Pejë, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Sahide Gashi, i akuzuari Metaj, që është kushëriri i tani të ndjerit Kamer Metaj, ka thënë se e pranon fajësinë dhe se shpreh keqardhje për rastin që ka ndodhur.
Kryetarja e trupit gjykues, Lumturije Muhaxheri, e kishte miratuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit. Në këtë rast për ndihmë në kryerjen e kësaj grabitje, ka qenë i dyshuar edhe vëllai i tani të ndjerit Kamer Metaj, Ylber Metaj, mirëpo ndaj tij kanë pushuar hetimet.
Prokurorja Sahide Gashi, kishte thënë për “Betimi për Drejtësi”, se me asnjë provë nuk është vërtetuar se ai ka qenë i përfshirë në këtë rast. Ndryshe, sipas aktakuzës të Prokurorisë Themelore në Pejë, të ngritur më 15 shkurt 2019, e akuzon Ujkan Metaj se me 27 dhjetor 2018, rreth orës 14:30, në Istog, në filialin e “NLB Bank”, me dashje e ka ndihmuar të dyshuarin tani të ndjerë Kamer Metaj në kryerjen e veprës penale të vjedhjes grabitqare.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Ujkan Metaj, akuzohet se me veturën e tani të ndjerit Kamer Metaj, e dërgon këtë të fundit tek rruga “Kadri Keqa”, në Istog, ndërsa pasi Kamer Metaj del nga vetura i arm atosur për të kryer grabitjen, i akuzuari Ujkan Metaj kthehet në fshatin Shushicë.
Sipas aktakuzës, i akuzuari kishte ndihmuar tani të ndjerin Kamer Metaj, ku i njëjti më pas kishte hyrë në bankën “NLB” dhe nën kërcënimin e arm ës kishte grabitur shumën prej 3636 euro, ndërsa pasi polici Izet Demaj e urdhëron të ndalojë, i akuzuari ka shtënë në drejtim të tij duke i shkaktuar policit Demaj plagë të rënda ku ndërron jetë.
Ndërkaq, policia gjatë shkëmbimit të zjarrit e kishte goditur për vdekje tani të ndjerin Kamer Metaj.