Probleme për Milanin, Giroud në dyshim për ndeshjen e kthimit ndaj Napolit.
Olivier Giroud mund t’i mungojë Milanit në ndeshjet e kthimit kundër Napolit, në kuadër të fazës çerekfinale në Ligën e Kampionëve.
“Kuqezinjtë” fituan 1:0 në ndeshjen e parë të zhvilluar në “San Siro” javën e kaluar dhe tani po përgatiten për ndeshjen e kthimit, që do të zhvillohet nesër (e martë), në stadiumin “Diego Armando Maradona”, shkruan Gazeta Express.
“La Gazzetta dello Sport” ka raportuar se Giroud po vuan aktualisht nga një problem në tendinën e Akilit, duke e detyruar atë të humbasë seancën stërvitore të së dielës.
Milani tani i frikësohet humbjes së sulmuesit francez për përballjen e dytë me Napolin, që mund ta detyrojë Stefano Piolin të zgjedhë mes Ante Rebic dhe Divock Origi.
Giroud luajti të gjitha 90 minutat e ndeshjes së parë kundër napolitanëve dhe mungesa e tij eventuale padyshim se do të ishte shumë e madhe për “Rossonerët”.
36-vjeçari është sulmuesi kryesor i Milanit. Ai ka shënuar 12 gola dhe ka regjistruar gjashtë asistime në 37 paraqitje në të gjitha garat këtë sezon.