Problemet e mëdha në ‘Trepçë’, privatizimi i pjesshëm shihet si zgjidhje e vetme

17:30 | 16 September 2019

“Trepça” po vazhdon të përballet me probleme të mëdha financiare.

Punëtorët thonë se përgjatë pesë muajve nuk kanë marrë pagat e tyre me kohë, ndërsa pa pagur për muajin gusht, kanë mbetur rreth 500 punëtorë të kësaj ndërmarrjeje.

Gani Osmani, përfaqësues i Sindikatës së Punëtorëve të “Trepçës”, tha për Radion Evropa e Lirë se pagat për muajin gusht i kanë marrë minatorët që punojnë brenda minierës, ndërkaq, pa paga ka mbetur stafi administrativ, sigurimi dhe punëtorët që kryejnë shërbime tjera.

“Para tri-katër ditëve, ndërrimi i parë i punëtorëve që punojnë në minierë nuk kanë dalë në punë, e kanë thirrur menaxherin dhe ai iu ka thënë se nuk ka para për paga dhe se ka një shumë më të vogël dhe jo për të gjithë. Ne si sindikatë nuk kemi qenë të pajtimit dhe vetë minatorët që kanë pasur të marrin pagat, nuk kanë qenë të pajtimit që dikush të marrë pagë e dikush jo. Pastaj, pagat për disa kanë dalë të premten, ndërsa rreth 500 punëtorë kanë mbetur pa paga”, thotë Osmani.

Ai thotë se deri te kjo situatë e paqëndrueshme financiare është arritur për shkak të keqmenaxhimit të kombinatit metalurgjik “Trepça”.

“Trepça” ishte në mesin e ndërmarrjeve më të mëdha në ish-Jugosllavi. Por, që nga paslufta është përballur me probleme të shumta, sa që asnjëherë nuk arriti të rimëkëmbet.

Ndërkohë, ministri në dorëheqje i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, Valdrin Lluka, tha për Radion Evropa e Lirë se “Trepça” tani e sa kohë është në gjendje të vështirë financiare dhe se janë duke u munduar që të bëjnë zgjidhje për pagesat e punëtorëve me kohë si dhe për rimëkëmbjen e ndërmarrjes.

Ai thotë se me disa ndryshime që kanë ndodhur në “Trepçë”, duke përfshirë edhe menaxhmentin, së shpejti “Trepça” do të jetë në gjendje që së paku punëtorët të jenë në një situatë më të mirë me paga dhe të mos ketë vonesa.

“’Trepça’ qe një kohë është në situatë të vështirë edhe pse ne jemi munduar që ta ndihmojmë maksimalisht. Këtë vit kemi ndarë subvencione në vlerë prej rreth 5 milionë euro për investime të ndryshme kapitale, por normalisht janë disa procedura për ato investime që i kemi ndarë nga buxheti i Kosovës. Janë procedura të tenderit që merr kohë të futen në funksion, në shërbim të rritjes së prodhimit që më pas do të rezultonte në rritje të qarkullimit dhe rrjedhimisht në rritje të pagesës së punëtorëve”, thotë Lluka.

“Trepça” muaj më parë është regjistruar si shoqëri aksionare, ku 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës dhe 20 për qind janë aksione të punonjësve të “Trepçës”.

Por, për të bërë një zgjidhje të qëndrueshme financiare në ndërmarrjen “Trepça”, ministri në largim Lluka, thotë se një pjesë e “Trepçës” duhet të privatizohet.

Sipas tij, nëse ka vullnet politik dhe një politikë e cila përkrah privatizimin, ky proces mund të bëhet brenda një viti.

“Zgjidhja e qëndrueshme është te pjesa e përfshirjes se kapitalit privat në ‘Trepçë’. Ideja është që resurset natyrore të mbesin pronë shtetërore, por pjesa e menaxhimit, pjesa e operimit duhet të privatizohet në mënyrë që të jetë më efikase, të tërheqim investime të huaja, t’i përfshijmë në ‘Trepçë’ dhe të rritet prodhimi dhe përpunimi i brendshëm dhe kjo jo vetëm se do të ndihmonte punëtorët në ‘Trepçë’, por do t’i ndihmonte edhe eksporteve dhe tërë shtetit të Kosovës duke e vendosur në hartën botërore të minerareve dhe përpunimit të tyre”, tha Lluka.

Niveli i prodhimit në kombinatin metalurgjik “Trepça”, sipas minatorëve, ka rënë dukshëm, për shkak siç thonë ata, edhe numrit të vogël të minatorëve.

Sipas të dhënave zyrtare, nga viti 1945 e deri në periudhën para vitit 1990, miniera prodhonte rreth 600 mijë tonë xehe në vit. Kurse sot, nga aty nxirren jo më shumë se 150 mijë tonë xehe.

Në vitet e ’80, në kombinatin metalurgjik “Trepça” punonin mbi 20 mijë punëtorë. Ndërkaq, vitet e fundit, ajo po kalon fazën e mbijetesës dhe nuk numëron më shumë se 1,300 punëtorë.

Komento: