
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), ka proceduar rastin në Drejtorinë për Hetime të Brendshme dhe Verifikim të së Kaluarës (DHBVK) në PK, për hetim disiplinor për tre zyrtarëve policorë nga Stacioni Policor i Ferizajt, lidhur me një video që ka qarkulluar në media, më 7 shtator të këtij viti ku shihen dy vajza duke hyrë në veturën e Policisë së Kosovës.
Një gjë e tillë është konfirmuar nga Edona Haqifi u.d. Udhëheqës i Divizionit për Planifikim dhe Çështje Ligjore nga IPK për “Betimi për Drejtësi”.
Ajo ka thënë se se Departamenti i Hetimeve pas konsultimeve me Kryeprokurorin publik të Prokurorisë Themelore në Ferizaj kishin marrë udhëzime se veprimet e zyrtarëve policor nuk përbënin elemente të veprës penale.
“IPK-së konkretisht Departamenti për Menaxhimin e Ankesave ka pranuar rastin në fjalë të cilin e ka dërguar në Departamentin e Hetimeve për hetim preliminar. Departamenti i Hetimeve pas konsultimeve me Kryeprokurorin publik të P.TH . Ferizaj, ka marr udhëzimet sipas të cilit veprimet e zyrtarëve policor nuk përbëjnë elemente të ndonjë veprës penale të përcaktuara në Kodin Penal të Kosovës”, tha Haqifi në përgjigjen me shkrim për “Betimi për Drejtësi”.
Haqifi po ashtu tha se zyrtarët policor kishin qenë të suspenduar vetëm për 72 orë pasi që nuk ishte rekomanduar vazhdimi i suspendimit për arsyet e lartcekura.
Ndryshe, IPK kishte rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policorë nga Stacioni Policor i Ferizajt.