Proces zgjedhor i qetë, KQZ njofton hapjen e të gjitha qendrave të votimit

08:56 | 28 Dhjetor 2025
Proces zgjedhor i qetë, KQZ njofton hapjen e të gjitha qendrave të votimit

Procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës ka nisur në të gjitha Qendrat e Votimit në vend, ndërsa materiali zgjedhor, përfshirë fletëvotimet, është shpërndarë me kohë që në orët e hershme të mëngjesit.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, në konferencën e parë për media të KQZ-së në ditën e zgjedhjeve, duke theksuar se procesi zgjedhor ka filluar pa vonesa në të gjitha qendrat e votimit në Republikën e Kosovës.

“Ju njoftojmë se në orët e hershme të mëngjesit, materiali zgjedhor, përfshirë edhe fletëvotimet është shpërndarë me kohë për në të gjitha Qendrat e Votimit. Gjithashtu, njoftojmë se duke u mbështetur në informacionet e pranuara nga KQZ, procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, ka nisur në të gjitha Qendrat e Votimit në Republikën e Kosovës”, tha ai.

Elezi tha se sot procesi i votimit po zhvillohet në 948 Qendra të Votimit, me gjithsej 2.614 vendvotime. Sipas tij, 910 qendra me 2.557 vendvotime janë të dedikuara për votimin e rregullt, ndërsa 38 qendra, nga një për secilën komunë, me gjithsej 57 vendvotime, janë organizuar për votimin me kusht.

“Sot, procesi i votimit zhvillohet në 948 Qendra të Votimit, me gjithsej 2,614 vendvotime, prej të cilave 910 qendra me 2,557 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, me 57 vendvotime, për të mundësuar votimin me kusht. Sipas Listës së Votuesve, numri i qytetarëve me të drejtë vote për të votuar sot në Republikën e Kosovës është 1,999,204, të cilët janë të shpërndarë në 38 komuna”.

“Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, numërimi i fletëvotimeve të subjekteve politike të zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës bëhet në vendvotim, pasi të përfundojë procesi i votimit, ndërkaq, numërimi i votave të kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës bëhet në Qendra Komunale të Numërimit. KQZ ka bërë përgatitjet që më 28 dhjetor të publikohen rezultatet preliminare të subjekteve politike nga zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës. Gjithashtu, gjatë zhvillimit të ditës së votimit, në orare të caktuara (09:00; 11:00; 13:00, 15:00; 17:00 dhe 19:00) do të publikohen edhe të dhëna për pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhje, për secilën komunë, të detajuar për çdo qendër votimi dhe vendvotim”, tha ai.

Sipas tij, publikimi i rezultateve nga vendvotimet e para pritet të nisë para orës 20:00 dhe do të përditësohet në mënyrë progresive, vendvotim pas vendvotimi, menjëherë pas përfundimit të numërimit në secilin vendvotim.

“Rezultatet nga vendvotimet e para do të fillojnë të publikohen duke filluar para orës 20:00 dhe ato do të përditësohen vendvotim pas vendvotimi. Pra, brenda një kohe të shkurtër pasi numërohen fletëvotimet e një vendvotimi, do të publikohen të dhënat në platformën e rezultateve”, tha ai.

“Për transmetimin e rezultateve dhe të dhënave statistikore nga procesi i votimit, KQZ do të publikojë me kohë platformën e rezultateve. Softueri për transmetimin e rezultateve preliminare nga vendvotimet, por edhe për procesin që do të zhvillohet në 38 Qendrat Komunale të Numërimit dhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është zhvilluar, siç e kemi shpjeguar edhe më herët, me mbështetjen e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar”, tha ai.

Numri i subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në këto zgjedhje është 24 subjekte politike, prej të cilave: 18 parti politike, 3 koalicione, 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidatë të pavarur.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe që përfaqësojnë këto subjekte politike, është: 1,180 kandidatë, prej të cilëve 789 kandidatë dhe 391 kandidate./EO

Komento: