Procesi i Berlinit, Rohde thirrje 6 vendeve që ta kapin mundësinë

15:49 | 20 October 2022

Rikthehet Procesi i Berlinit, Rohde thirrje 6 vendeve që ta kapin mundësinë.

Procesi i Berlinit po kthehet sërish në Berlin që do të kryesohet nga Gjermania dhe do të organizohet nga kancelari Olaf Scholz.

Lajmin e dha ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, i cili tha se nesër ministra nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor do të shkojnë në Berlin për të diskutuar për disa tema.

“Procesi i Berlinit po kthehet në Berlin, i kryesuar nga Gjermania dhe i organizuar nga kancelari Olaf Scholz. Gjatë ditës së nesërme, ministrat e Brendshëm, të Jashtëm dhe të Energjisë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor do të diskutojnë për luftën ndaj krimit të organizuar, tregun e përbashkët rajonal dhe agjendën e gjelbër”, ka shkruar ambasadori gjerman.

Ai tha se është thelbësore të shfrytëzohet kjo mundësi, të ndërmerren hapa të rëndësishëm për thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe nënshkrimin e marrëveshjeve konkrete në mënyrë që të sjellë përfitime për qytetarët e gjashtë vendeve.

“Gjermania është e vendosur fort për të mbështetur dhe lehtësuar këtë proces dhe është e gatshme të marrë lidershipin për të nxitur anëtarësimin në BE të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor sa më shpejt!”, ka përfunduar Rohde.

Sipas agjendës së publikuar nga faqja zyrtare, më 20 tetor mbahet takimi i ministrave të Punëve të Brendshme, një ditë më pas ai i ministrave të Jashtëm dhe më 24 tetor takimi i ministrave të Energjisë. Ndërkaq, më 3 nëntor mbahet Samiti i Ballkanit Perëndimor.

Komento: