Procesi mësimor në Kosovë fillon nesër, më 3 tetor

12:17 | 02 October 2022

Nesër fillon procesi mësimor në vendin tonë.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) njofton të gjithë nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit se nesër, (e hënë, 3 tetor 2022), fillon mësimi në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar.

Sipas ministrisë, “MAShTI i kishte bërë përgatitjet e duhura që viti i ri shkollor të fillonte me 1 shtator kur zyrtarisht duhej të fillonte mësimi, por që kjo nuk u realizua për shkak të grevës së organizuar nga SBASHK”.

“Të hënën, MAShTI do të formojë grupin punues për të rishikuar Udhëzimin Administrativ për Kalendarin e vitit shkollor dhe në bazë të tij do të bëhen edhe riplanifikimet në shkolla.

Drejtoritë Komunale të Arsimit do të sigurohen për mbarëvajtjen e procesit mësimor.

Ministria e Arsimit fton për bashkëpunim dhe mobilizim të të gjithëve pa dallim për të plotësuar humbjet e shkaktuara gjatë grevës.

Gjithashtu, MAShTI njofton se janë shpërndarë të gjitha tekstet në komuna e shkolla sipas kërkesave të Drejtorive Komunale të Arsimit. Teksti i Gjuhës shqipe, klasa e pestë, tekst i ri i hartuar këtë vit, do të dërgohet brenda kësaj jave në shkolla.

Ministria e Arsimit uron të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit për vitin e ri shkollor. Suksese të gjithëve!”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Komento: