Procesi zgjedhor në veri vazhdon i qetë, përqindja e votuesve e pakënaqshme

15:25 | 23 April 2023

Është duke vazhduar procesi zgjedhor në komunën e Leposaviqit, Mitrovicës së Veriut, Zveçanit dhe Zubin Potokut.

Qendrat e votimit u hapën qysh prej orës 07:00 të mëngjesit, dhe sipas KQZ-së edhe materiali është shpërndarë me kohë, me disa përjashtime, shkruan Reporteri.

Deri në orën 11:00, kur KQZ raportoi për herë të fundit, numri i votuesve nuk ishte i kënaqshëm.

Nga mbi 45 mijë qytetarë me të drejtë vote, vetëm 313 kanë shfrytëzuar të drejtën qytetare për të votuar.

Deri tash nuk është raportuar asnjë incident, derisa Policia e Kosovës po qëndron në gjendje gatishmërie për të reaguar.

Në disa pika të votimit janë parë edhe njësi të KFOR-it.

Lista Serbe edhe njëherë sot u bëri thirrje serbëve t’i bojkotojnë zgjedhjet.

Edhe Presidenti Aleksandar Vuçiq u krenua me (mos)pjesëmarrjen e komunitetit serb në zgjedhjet në veri, ndonëse këto zgjedhje u përkhrahën fuqimisht nga komuniteti ndërkombëtar.

Këta të fundit nuk kanë reaguar në lidhje me përqindjen e ulët të votuesve në këto zgjedhje.

Sipas njohësve të çështjes, ky proces zgjedhor nuk i plotëson standardet e nevojshme, dhe më tepër u konsiderua si improvizim.

Shumë prej tyre u shprehën skeptikë se sa do të njihen nga vetë qytetarët e veriut rezultatet e këtyre zgjedhjeve.

Nga gjithsej 19 qendra të votimit, gjashtë prej tyre janë të rregullta, ndërsa në 13 pikat e tjera po votohet në kontejnerë.

Konferenca e radhës e KQZ-së do të mbahet në orën 15:30.

Komento: