Produktet amerikane do të eksportohen përmes Kosovës në Evropë

17:32 | 15 June 2019

Një plan i ri ekonomik po hartohet të realizohet në Kosovë.

Zona ekonomike amerikane në Kosovë, sipas pritjeve të institucioneve dhe përfaqësuesve të bizneseve, do të mund të tërheqë investitorë të shumtë amerikanë të cilët më pas produktet e tyre do t’i eksportojnë në tregun e gjerë të Bashkimit Evropian, i cili ka diku rreth 500 milionë konsumatorë.

Krijimi i zonës ekonomike amerikane është bërë me një vendim të Qeverisë së Kosovës një vit më parë, por ende nuk është funksionalizuar. Lokacioni i kësaj zone është në Gjakovë dhe ka një sipërfaqe prej mbi 500 hektarë tokë.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, tha për Radion Evropa e Lirë se zona ekonomike amerikane ka tërhequr vëmendjen e disa kompanive amerikane që të shtrijnë kapitalin e tyre në Kosovë.

“Si Odë Ekonomike Amerikane në Kosovë tash e disa vjet promovojmë para investitorëve potencialë amerikanë këtë idenë e shfrytëzimit të Kosovës si një zonë ku ata do të mund të prodhonin produktet e tyre dhe pastaj të njëjta t’i eksportonin në tregun Evropës, në tregun e 500 milionë konsumatorëve të Bashkimit Evropian. Kjo do të vinte edhe në një moment të përshtatshëm kur tregtia e lirë ndërmjet BE-së dhe SHBA-së nuk është në nivelin e duhur”, tha Zeka.

“Zona ekonomike amerikane do të ishte mundësi e mirë për të tërhequr këta investitorë potencialë amerikanë. Në bazë të informatave që kemi kjo (zona ekonomike amerikane) ka ngritur entuziazmin e kompanive, sidomos nga shteti amerikan i Ioëa-s për të ardhur dhe për t’u vendosur në zonën ekonomike amerikane, kurdo që ajo të funksionalizohet dhe shpresoj që kjo të ndodhë sa më shpejtë”, theksoi Zeka.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovës tanimë ka dhënë rekomandimet rreth kësaj zone ekonomike dhe si të tilla ato u janë dorëzuar autoriteteve kompetente.

Zeka shton se Kosova si një treg i vogël nuk mund të jetë shumë atraktiv për investitorët, prandaj sipas tij, duhet krijuar lehtësira ekonomike. Andaj, edhe rekomandimet e dhëna nga Oda Ekonomike, sipas tij, duhet të jetësohen.

Komento: