Produktet e qumështit nga Kosova, së shpejti në tryezat e evropianëve – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
0 °C

Produktet e qumështit nga Kosova, së shpejti në tryezat e evropianëve

13:04 | 08 Prill 2019

Industria e qumështit në Kosovë ka pasur rritje të madhe.

Falë mbështetjes së Bashkimit Evropian dhe të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ky sektor ka arritur të marrë një pozitë shumë më të mirë në tregun e brendshëm.

Përkundër, rritjes prodhimet me prejardhje nga qumështi nuk kanë mundur të eksportohen në tregjet e BE-së.

Për arritjen e këtij synimi, Bashkimi Evropian ka angazhuar një numër të madh ekspertësh, të cilët përmes trajnimeve të shumta kanë arritur ti trajnojnë mbi 200 fermerë të industrisë përpunuese.

Gjithashtu, Softueri për menaxhimin e prodhimit dhe riprodhimit të blegtorisë (KLMS) është instaluar në 157 ferma të qumështit.

Falë këtyre trajnimeve, përpunuesit e qumështit thonë se tashmë janë të gatshëm që produktet e tyre t’i plasojnë edhe në tregun me mbi 500 milionë konsumatorë.

Këto trajnime kanë ndikuar edhe në rritjen e numrit të të punësuarve në industrinë e qumështit.

“Me anë të granteve që kemi fituar nga Bashkimi Evropian dhe po ashtu me anë të trajnimeve që na janë dhënë neve si përpunues të qumështit, Bashkimi Evropian synon që ne ta rrisim kualitetin e produkteve tona dhe sigurinë e ushqimeve tona, që në të ardhmen edhe ne të kemi mundësi që produktet tona të eksportohen në shtetet evropiane. Trajnimet kanë qenë për sigurinë e ushqimit. Me anë të këtyre trajnimeve ne kemi arritur të kuptojmë më shumë se çka është HACCAP-i për ne. Pikat kritike të kontrollit të HACCAP-it dhe si duhet ta përpilojmë HACCAP-in në kompaninë tonë. Në një kompani ku implementohet HACCAP-i ne mund të nënkuptojmë se në atë kompani ka kontroll të vazhdueshëm gjatë përpunimit të produkteve dhe jo vetëm në produktin final. Në një kompani ku ka kontroll të vazhdueshëm, edhe në qoftë se ka ndonjë problem gjatë prodhimit, atëherë ne mundohemi maksimalisht që ai problem të evidentohet brenda dhe të mos shkoj tek konsumatori ynë. Për këtë arsye Bashkimi Evropian na ka dhënë shumë mbështetje neve për të na mundësuar që konsumatori të jetë sa më i sigurt që produktin që e konsumon të jetë i kontrolluar dhe me standarde evropiane”, ka deklaruar EndraLuzha, menaxhere e kualitetit të qumështit.

Projekti është i dizajnuar sipas parimeve të Komisionit Evropian për sigurinë e ushqimit dhe që ndërlidhet me sloganin kryesor: Prej fermës tek tryeza.

“Projekti ka ndikuar tek fermerët jashtëzakonisht shumë për shkak se kemi pasur trajnime të shumta me fermerët, sidomos me komponentën e projektit për mbarështim të kafshëve me të cilin është arritur një vetëdijesim i lartë i fermerëve që ta kenë kujdesin gjatë prodhimit të produkteve primare, sidomos primare të ushqimit. Sa i përket zingjirit më tutje ushqimor, projekti ka ndikuar edhe tek prodhuesit dhe procesuesit e ushqimit me trajnime të ndryshme, me vlerësime të kapacitetit të tyre që kanë qenë pjesë e komponentës së sigurisë së ushqimit përbrenda projektit.

Gjatë periudhës së implementimit të projektit, ka qenë një numër i madh i trajnimeve si me inspektor ashtu edhe me prodhues dhe përpunues të ushqimit të ndryshëm, si qumështoret dhe mishtoret e Kosovës, me ç’rast janë trajtuar tema të ndryshme që kanë ndikim të madh gjatë prodhimit ose përpunimit të produkteve ushqimore”, ka thënë Flamur Kadriu, drejtor i shëndetit publik në Agjencinë e Ushqimit dhe të Veterinarisë.

Një trajnim tjetër me rëndësi për fermerët ka qenë edhe ai për plotësimi e kritereve mikrobiologjike që janë pjesë fundamentale e sigurisë ushqimore, ku prodhuesit dhe përpunuesit kanë pasur rastin që prej ekspertëve të bashkësisë evropiane të dëgjojnë kriteret ose kushtet të cilat ata duhet ti plotësojnë gjatë prodhimit të ushqimit.

Sipas Kadriut, kriteret mikrobiologjike janë ato që zakonisht nuk kanë tolerancë ose toleranca është jashtëzakonisht e vogël që një prodhues duhet ta ketë parasysh gjatë të gjitha fazave të prodhimit të ushqimit.

“Trajnim tjetër ka qenë, implementimi i standardeve të ndryshme në sigurinë ushqimore që për prodhuesit është jashtëzakonisht e rëndësishme, përmbajtja ose vazhdimi i mbajtjes së këtyre sistemeve ose standardeve në prodhimtarinë ushqimore duke filluar prej rekuizitave ose parakushteve që duhet t’i plotësojnë, sic janë praktikat e mira higjienike, praktikat e mira të punës, pastërtia, higjiena e të gjitha të tjera elemente që ndikojnë jashtëzakonisht në sigurinë e ushqimit. Tjetër komponentë ka qenë jashtëzakonisht e rëndësishme ka qenë trajtimi me temperatura të ndryshme gjatë prodhimit, ku prodhuesit patën rastin të shohin se çfarë rëndësie ka trajtimi me temperaturë i produkteve të ndryshme ushqimore, qoftë me nxehtësi, qoftë me ftohje, çfarë ndikimi kanë temperaturat tek prodhimtaria e ushqimit dhe çfarë efekti do të ketë temperatura gjatë prodhimit”, deklaroi Kadriu.

Gjithashtu trajnime tjera të organizuara në kudër të projektit “Siguria e Ushqimit dhe Mbarështimi i Blegtorisë në Kosovë”, të financuar nga Bashkimi Evropian dhe i implementuar nga konsorciumi Opera, Pan Livestock dhe Instituti Zooprofilaktik Eksperimental i Breshias, kanë qenë ato për metodat më të mira të prodhimit, si dhe mënyra e përgatitjes së informatave për konsumatorët, përmes etiketave në produktet ushqimore që janë shumë të rëndësishme për konsumatorët.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!