Projektbuxheti për vitin 2025/ Opozita ka një “mal” vërejtjesh, thotë se s’ka projeksion zhvillimor

08:08 | 11 November 2024
projektbuxheti-per-vitin-2025/-opozita-ka-nje-“mal”-verejtjesh,-thote-se-s’ka-projeksion-zhvillimor

Me 11 nëntor 2024 do të hidhet në votim buxheti për vitin 2025. Sipas parashikimeve, buxheti për vitin e ardhshwm pritet të jetë rreth 3.6 miliard euro, por përkundër shumës së madhe të buxhetit, partitë opozitare në vend kanë shprehur qëndrimet e tyre kundër votimit të këtij buxheti, duke dhënë arsyet dhe vërejtjet e tyre.

PDK, LDK dhe AAK, nuk do e votojnë buxhetin për vitin 2025, por përkundër saj partia në pushtet, shprehet e bindur se e kanë shumicën parlamentare prej 61 votave, për ta kaluar këtë projektligj. Kështu të paktën ka deklaruar javën që shkoj, shefja e Grupit Parlamentar e VV-së, Mimoza Kusari Lila.

“Ne e kemi shumicën parlamentare siç e keni parë edhe javën e kaluar në votimet e thjeshta arrijmë të miratojmë ligje dhe vendime të tjera, ndërsa për opozitën s’kam çka të them, kanë përcaktuar dhe vendosur në një rrugë tjetër. Është çështje e vendimmarrjes së tyre”, tha Kusari Lila.

Por ndryshe nga kjo mendon opozita dhe njohësit e ekonomisë. Ata përveç se janë kundër këtij buxheti, shprehin edhe dyshimet dhe arsyet e tyre.

 

Lekaj: Ky buxhet nuk përfaqëson premtimet e Qeverisë, është bërë për demagogji e fushatë zgjedhore

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, për FrontOnline, ka folur për projektbuxhetin e vitit 2025 që është propozuar nga Qeveria e Kosovës.

Lekaj, potencon se ky projekt buxhet, nuk përfaqëson premtimet e Qeverisë Kurti dhe nuk përfaqëson sipas tij as kërkesat dhe nevojat e qytetarëve.

‘’Buxheti 2025 është buxhet që nuk përfaqëson premtimet e Qeverisë Kurti dhe nuk përfaqëson as kërkesat dhe nevojat e drejta të qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës për vitin 2025’’ thotë ai.

Po ashtu, Lekaj, ka dhënë shtatë arsye që sipas tij ky buxhet nuk është që përmbushë pritjet dhe kërkesat e qytetarëve.

‘’Ky Buxheti i propozuar ka lënë punonjësit e sektorit publik jashtë rritjes së koeficientit të merituar, nuk përfshin sigurimet shëndetësore, i ka lënë punonjësit e sektorit privat me 320 euro pagë dhe veteranët e UÇK-së me 204 euro beneficion, nuk përfshin projektet dhe kërkesat buxhetore të komunave, është buxhet me direktiva të partisë dhe jo i planifikuar për të ardhmen e vendit, nuk përfshin pensionimin e parakohshëm të policisë, është buxhet i një paqe sociale dhe jo i zhvillimit ekonomik, etj’’ thotë ai.

Për Lekajn, kjo Qeveri këtë projekt buxhet e ka bërë për demagogji e fushatë elektorale.

‘’Qeveria Kurti këtë Projekt-buxhet e ka bërë për demagogji e fushatë elektorale dhe jo për ta zhvilluar vendin dhe për ta rritur mirëqenien e qytetarëve të Kosovës’’ tha ai.

 

Humolli: Nuk e votoj buxhetin, është shkurtpamës dhe nuk krijon perspektivë zhvillimi

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Humolli, për FrontOnline, potencon se buxheti për vitin 2025, është shkurt pamës dhe nuk sheh prespektivë të zhvillimit të vendit.

”Është shkurt pamës si buxhet dhe nuk shohim perspektiva të zhvillimit të Kosovës. Nuk më duket se duhet me pas ndonjë ndryshim nga buxhetet e kaluara. Për shkak të disa obligimeve nuk e kam parë si do të jetë ndarja’’ thotë ai.

Humolli shprehet se nuk do e votoj këtë buxhet, pa u zgjidhë disa probleme sipas tij.

‘’Unë nuk mundem me votu asnjë projektligj që sjellë Qeveria aktuale, pa e zgjidhë problemin e veteranëve të luftës edhe sigurimit shëndetësor për institucionet e sigurisë së vendit, gjitha të tjerat për mua janë hajgare. Nuk çojnë peshë asgjë’’ thotë ai.

Deputeti i pavarur, thotë se institucionet po e godasin FSK-Në, Policinë dhe kategoritë e dala nga lufta dhe për këtë nuk pranon të votoj asgjë.

 

Shatri: Buxhet i nënçmuar, do të ishte më i madh sikur të ishte luftuar korrupsioni e informaliteti

Ish-ministri i financave, Haki Shatri, projekt buxhetin e propozuar për votim nga Qeveria e Kosovës për vitin 2025 e sheh si buxhet pasiv dhe me një rritje të vogël.

”Ky buxhet është si projeksion, të hyrat që i kanë paraparë 270 milionw më shumë se në vitin 2024. Buxheti i këtij viti, ka qenë shumë më i vogël, ka qenë 3 miliard e 280 milion dhe kjo rritje 280 milion, praktikisht nuk e praktikon mundësinë reale të rritjes së buxheti’’ thotë ai.

Shatri, pretendon se të hyrat e buxhetit do të ishin shumë më të mëdha nëse do të ishte luftuar më mirë me evazionin fiskal, informalitetin dhe korrupsionin.

‘’Të hyrat kanë mundur të ishin shumë më të mëdha nëse ishte punuar më mirë, me evazionin fiskal, informalitetit dhe korrupsionit. Mendoj se buxheti kishte mundur të ishte me këto korrigjimi, kishte mundur të ishte në 3 miliard e 800 milion euro’’ tha ai.

Ish-ministri i ekonomisë, potencon se buxheti i propozuar për votim të hënën është buxhet i që  nuk paraqet ndonjë kapacitet financiar.

‘’Ky është buxhet i nënçmuar dhe nuk paraqet ndonjë kapacitet financiar i cili garanton rritje të mirëqenies dhe rritje të zhvillimit ekonomik. Është thjeshtë një lëvizje e rëndomtë e numrave, rritje e paktë dhe me atë dinamik janë rrite edhe të hyrat. Është shumë pasiv si buxhet’’ pohoj Shatri.

 

 

Dreshaj: Ky buxhet nuk është zhvillimor, është i orientuar më shumë në politika sociale

Kryetari i Lidhjes Bizneseve të Kosovës, Besart Dreshaj, për FrontOnline tha se kërkesë e Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, është që të ketë më shumë projekte konkrete kapitale dhe se sipas tij, ky buxhet nuk mund të quhet zhvillimor kur shihet se pjesa dërmuese e orientimeve buxhetore do të jetë në politikë sociale

Dreshaj tha se Projektbuxheti i vitit 2025 ka disa të meta, ndërsa, siç thekson ai, i njëjti duhet të pasurohet para se të kalojë në lexim të dytë.

‘’Nëse e sheh te shpenzimet kapitale, shohim një shumë më të madhe se sa viti paraprak mirëpo, çështja dhe pikëpyetja që po vie duke parë praktiken e këtyre tri viteve të fundit është se sa po shpenzohen ato mjete të parapara për investime kapitale. Në këtë rast, nëse e marrim këtë vit, jemi në nëntor dhe ende nuk e ka arritur 50% e shpenzimeve të cilat kanë qenë të parapara’’ u shpreh Dreshaj.

Ai i tha se në vitet e kaluara realizimi i ulët i investimeve kapitale, ka lënë pa punë shumë kompani.

‘’Kështu që kërkesa jonë është që ajo shumë që është e paraparë në buxhet të shtetit të shpenzohet e të fillohet me procedura sa më herët që është e mundur se edhe procedurat e prokurimit marrin kohë. Kërkesa jonë është që të ketë projekte që ndikojnë drejtpërdrejt në ngritjen e brutoproduktit vendor”, tha Dreshaj.

‘’Kemi kërkuar dhe kërkojmë me shume mbështetjen per prodhimin vendore, promovimin e prodhimeve vendore’’ shtoj ai.

Ai tutje theksoi se në projektbuxhet shihet se rritja ekonomike planifikohet të vije nga konsumi publik e privat, remitenca dhe rimëkëmbja ekonomike. Por sipas tij, këto planifikime, nuk mund të jenë të sigurta.

 

Komento: