Prokurori i Shtetit sqaron se çka po ndodh me rastin e Telekomit në aferën Z-mobile

10:14 | 21 July 2020

Prokurori i Shtetit tregon se çka po ndodh me rastin e Telekomit në aferën Z-mobile.

Prokurori i Shtetit ka reaguar lidhur me pretendimet e Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) me titull “Heshtja e Prokurorisë së Shtetit ndaj situatës afër bankrotimit të Telekomit të Kosovës është tregues i kapjes kriminale dhe shpërdorimit që i është bërë ndër vite kësaj ndërmarrje publike”, të publikuar dje më 20 korrik 2020.

Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik se lidhur më këtë çështje janë zhvilluar dy raste penale.

“Prokuroria Speciale e EULEX-it kishte ngritur aktakuzë në vitin 2011 ndaj pronarëve dhe përqafuesit ligjor të operatorit Dardafone.net Sh.p.k, si dhe ndaj Kryeshefit Ekzekutiv dhe Kryetarit të Bordit të Drejtorëve të PTK-së, lidhur me marrëveshjen për operatorin e rrjetit mobil të arritur ndërmjet PTK-së dhe Dardafon-it, ku pas zhvillimit të procedurës penale ky rast ka marrë epilog përfundimtar gjyqësor”, thuhet në njoftim.

Siç thuhet në njoftim, ndërkaq, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj menaxhmentit të PTK-së në vitin 2018 nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, i njohur si rasti “Z-mobile”, konkretisht ndaj dy kryeshefave ekzekutivë të PTK-së dhe Kryetarit të Bordit të Drejtorëve, procedurë kjo, që është zhvilluar në shkallë të parë. Ndërsa, duke e aprovuar si të bazuar ankesën e Prokurorisë Speciale, Gjykata e Apelit e ka kthyer këtë rast në rigjykim, ku dhe pritet që pranë gjykatës së shkallës së parë të zhvillohet edhe njëherë procedura gjyqësore lidhur më akuzën e prokurorisë për këtë rast.

Po ashtu, Prokurori i Shtetit, njofton opinionin publik se ka pranuar në punë edhe lëndë të tjera lidhur me Telekomin, ku tanimë janë duke u zhvilluar edhe disa procedura penale.

“Prandaj, supozimet e GLPS-së ndaj Prokurorisë së Shtetit janë të pabazuara si të tilla dhe rrjedhimisht të paqëndrueshme”.

Prokurori i Shtetit thotë se mbetet i përkushtuar dhe i vendosur që brenda kompetencave kushtetuese dhe ligjore të luftojë të gjitha format e kr.imit dhe të sjellë para drejtësisë të gjithë personat të cilët kanë kryer vepra penale në Republikën e Kosovës.

Komento: