Prokurori Isufi për zhdukjen e mostrave të Deharit: Do t’i intervistojmë Albin Kurtin e Haki Abazi

11:36 | 16 February 2023

Zhdukja e mostrave të Deharit, Prokurori Isufi: Do t’i intervistojmë Albin Kurtin e Haki Abazi.

Deputeti i Lëvizjës Vetëvendosje, Haki Abazi, është shprehur i habitur se si është e mundur që në pushtetin e LVV-së të zhduken mostrat e Astrit Deharit. Ai ka deklaruar se Instituti i Mjekësisë Ligjore është i monitoruar 24 orë dhe prej kamerave të sigurisë dihet qartë se kush ka hyrë te frigoriferi për t’i zhdukur mostrat e Deharit.

Deputeti Abazi ka thënë se për rastin e Astrit Deharit dhe zhdukjen e mostrave të tij duhet të merren në pyetje disa figura të Vetëvendosjes, duke filluar nga kryeministri Kurti.

“Nuk besoj që kamerat mund të gënjejnë se çfarë ka ndodhur. Prokuroria duhet të marrë në pyetje kryeministrin Kurti, Dejona Mihalin, Albulena Haxhiun, Nazlie Balaj dhe Flutura Gogaj-Bajrami. Rasti i Astrit Deharit është shumë i rëndë për t’u mbajtur mbi supet e qytetarëve. Rrugët janë të qarta se si duhet të bëhet kjo punë”, deklaroi Abazi në konferencën e thirrur nga ai.

E lidhur me këto deklarata, Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj ka konfirmuar për Gazetën Insajderi se do të t’i ftojnë për intervistim deputetin Haki Abazi dhe pas tij kryeministrin Albin Kurti.

“Po, do t’i ftojmë për intervistë deputetin Haki Abazi për të dëshmuar lidhur me pretendimet e tij dhe pas tij kryeministrin Albin Kurti”, deklaroi ai.

Prokuroria Speciale e Kosovës s’e ka ende asnjë të dyshuar për rastin e zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Nga ky institucion thonë vetëm se kanë intervistuar një numër të konsiderueshëm të personave në cilësi të dëshmitarëve dhe se kanë ndërmarr veprime konkrete që do t’i ndihmojnë në rrjedhën e procedurës të mëtutjeshme hetimore.

Komento: