Prokuroria angazhon mbi 100 prokurorë për mbrojtjen e votës në zgjedhjet e 7 qershorit

11:30 | 05 Qershor 2026
prokuroria-angazhon-mbi-100-prokurore-per-mbrojtjen-e-votes-ne-zgjedhjet-e-7-qershorit

Prokuroria e Shtetit ka njoftuar se ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të garantuar mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve dhe integritetin e procesit zgjedhor në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor.

Përmes një njoftimi, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka bërë të ditur se në kuadër të angazhimeve për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, janë mobilizuar mbi 100 prokurorë dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët do të jenë në kujdestari në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës deri në përfundimin e procesit të votimit.

Sipas njoftimit, qëllimi i këtij angazhimi është identifikimi dhe procedimi i çdo parregullsie apo shkeljeje të mundshme që mund të ndodhë gjatë procesit zgjedhor.

“Prokurori i Shtetit i fton qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë”, thuhet në njoftim.

Komento: