Prokuroria autorizon Policinë për hetime lidhur me rinumërimin e votave në Obiliq

13:56 | 30 Janar 2026
prokuroria-autorizon-policine-per-hetime-lidhur-me-rinumerimin-e-votave-ne-obiliq

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës që të nisë hetime paraprake lidhur me procesin e rinumërimit të votave në komunën e Obiliqit, në kuadër të zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura më 28 dhjetor 2025.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, Departamenti për Krime të Rënda është duke e ndjekur me vëmendje të plotë procesin e rinumërimit, pasi janë vërejtur dyshime për mospërputhje në rezultatet e kandidatëve për deputet pas përfundimit të numërimit të votave në këtë komunë.

Në këtë drejtim, Prokurori i Shtetit ka lëshuar autorizim zyrtar për Policinë e Kosovës me qëllim të verifikimit të saktësisë së rezultateve dhe përcaktimit nëse ka pasur shkelje të mundshme nga personat përgjegjës gjatë procesit zgjedhor.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve dhe në trajtimin e çdo rasti të dyshuar, me synim ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimit të ligjit.

Komento: