Prokuroria e Gjilanit autorizon policinë të ndërmarrë veprimet hetimore ndaj Arianit Sllamnikut

10:26 | 20 Janar 2026
prokuroria-e-gjilanit-autorizon-policine-te-ndermarre-veprimet-hetimore-ndaj-arianit-sllamnikut

Prokuroria Themelore në Gjilan është aktivizuar në lidhje me hetimet që kanë të bëjnë me veprimtarinë e Arianit Sllamnikut.

Në një përgjigje të dhënë për lajmi.net, Prokuroria në Gjilan njoftoi se tanimë kanë autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me rastin në fjalë.

Gjithashtu Prokuroria tha se do të na mbajë të informuar në lidhje me veprimet e mëtejshme.

pak më parë raportoi se Arianit Sllamniku tanimë është duke u intervistuar nga zyrtarët policorë të Kosovë.

“Ju  njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan, sot me datë 20 janar 2026 ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me rastin për të cilin jeni interesuar dje.Prokuroria Themelore në Gjilan, do të iu mbajë të informuar për veprimet e mëtutjeshme. Ju faleminderit për bashkëpunimin tuaj”,thuhet nga Prokuroria në Gjilan.

Arianit Sllamniku deklaronte se “shëron autizmin” dhe se në raportet që u shfaqte prindërve të fëmijëve të spektrit autik u shkruante të përdornin barëra të kafshëve.

Kësisoj shumë prindër janë ankuar në lidhje me këtë çështje duke shfaqur dyshime për veprimtarinë e tij.

Sllamniku emër i njohur për publikun nga konspiracione të ndryshme të cilat ka shfaqur ndër vite, prej mbi 1 vit po zhvillonte veprimtarinë e raportuar në këtë rast.

Mbi këtë çështje mbrëmë ka reaguar edhe Ministria e Shëndetësisë të cilët kanë shprehur shqetësim mbi këtë rast. Kurse nga Ministria e Shëndetësisë u tha se ka ndjekur me shqetësim raportimet lidhur me pretendimet se një individ dyshohet se ka ofruar ilaçe, duke i paraqitur ato si trajtim për autizëm.

“Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve që t’u besojnë vetëm metodave të verifikuara shkencërisht, të cilat ofrohen nga institucione dhe profesionistë të licencuar shëndetësorë.

Lidhur me këtë rast, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar institucionet kompetente dhe është në koordinim me Policinë e Kosovës për trajtimin e mëtejmë të çështjes, në përputhje me kompetencat ligjore”, theksohet tutje.

MSh deklaroi se “shëndeti i fëmijëve mbetet prioritet absolut dhe çdo keqpërdorim që e rrezikon atë do të trajtohet me seriozitet të lartë institucional”.

Komento: