Pas më shumë se një jave, Prokuroria e Policia “ndajnë dhimbje për vdekjen e 12 vjeçarit”.
Janë bërë më shumë se një javë që kur u gjet pa shenja jete 12 vjeçari në Fushë Kosovë, për të cilin u arrestua një 20 vjeçar me iniciale S.O, i dyshuar për dhunim e vrasje të tij.
Derisa Prokuroria e Shtetit s’pati asnjë deklaratë deri sot, Policia kishte thënë se “e ka kryer pjesën e saj të punës”.
Tri herë besohet se 12 vjeçari kishte raportuar rastin për nga’cmim nga po i njëjti person, derisa Policia s’mori asnjë masë, tek pas vdekjes së tij.
Por në një deklaratë të përbashkët Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Kosovës, “ndajnë dhimbjen për familjen e të ndjerit”.
“Më 17 korrik, një djalosh i vogël nëntë vjeç u vra në Fushë Kosovë. Vendi ynë, institucionet e drejtësisë dhe qytetarët janë të tronditur nga humbja tragjike e djaloshit të ri. Me zemër dhe shpirt ndajmë dhembjen me familjen dhe miqtë”, është reagimi i sotëm i Prokurorisë, ndonëse i mituri ishte 12-vjeçar dhe ka vdekur më 11 korrik.
“Policia e Kosovës pas ndërmarrjes së veprimeve të vazhdueshme hetimore dhe operacionale lidhur me rastin e raportuar me datën 11.07.2019, e cilësuar në fillim si “vdekje e dyshimtë”, me datën 16.07.2019 rreth orës 19:55 nga njësitë policore të Stacionit Policor të Fushë Kosovës është arrestuar personi i dyshuar me inicialet S. O. mashkull/ashkali/kosovar lindur me 1999”, thuhet në raportin policor”, thuhej në raportin policor.
E Prokuroria e Shtetit, tek sot kujton se “Vra’sësi i dyshuar është arrestuar dhe po mbahet në paraburgim”.
“Policia e Kosovës dhe Kryeprokurori i Shtetit i Republikës së Kosovës, po punojnë së bashku në rishikimin e plotë të procedurave, veprimeve dhe rrethanave të kësaj tragjedie të hatashme. Do të punojmë me zell për të trajtuar mangësitë e identifikuara dhe për të zhvilluar protokolle më të mira, të cilat do të mbrojnë më mirë qytetarët, veçanërisht ata që janë më të cenueshëm në shoqërinë tonë. I shprehim ngushëllimet tona më të thella familjes në këto momente të rënda”, përfundon komunikata e Prokurorisë.
Aktivistë e qytetarë të shumtë kanë reaguar për neglizhencën e Policisë së Kosovës ndaj këtij rasti, madje, edhe heshtjes së institucioneve në përgjithësi.
Sot, në Fushë Kosovë do të protestohet për këtë rast.