Prokuroria është duke e hetuar ministren Donika Gërvalla nën dyshimin se fshehu pasurinë

15:42 | 26 October 2022

Dyshimet se fshehu pasurinë, Prokuroria është duke e hetuar ministren Donika Gërvalla.

Ministrja e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës është duke u hetuar nga Prokuroria e Shtetit nën dyshim për veprën penale që ndërlidhet me “mos raportim ose raportim të rremë të pasurisë, të ardhurave, dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financaiare”.

Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj.

Ulaj ka thënë se rasti tashmë është në fazën e hetimeve.

“Referuar pyetjeve tuaja, lidhur me kallëzimin penal kundër D.G., në drejtim të veprës penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, iu njoftojmë se rasti është në fazën e hetimeve”, ka thënë Ulaj për Gazetën Express.

Siç kishte raportuar më herët Betimi për Drejtësi vitin e kaluar, ministrja Gërvalla nuk i kishte deklaruar dy pozita – një në biznesin e saj në Gjermani dhe tjetrin në një OJQ në Kosovë – dhe as nuk ka treguar për pasurinë e burrit dhe fëmijëve të saj në deklarimin që ka bërë në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK).

Komento: