Prokuroria kërkon 709 orë kundër krerëve të UÇK-së, dyfish me shumë se Millosheviqi

15:41 | 13 Shtator 2022

Prokuroria Speciale e Dhomave të Specializuara ka paraqitur para Gjyqtarit të Procedurës Paraprake vlerësimet e saja të reja se do t’i duhen 709 orë për ta paraqitur çështjen e saj kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Prokurori Jack Smith ka thënë se vlerësimi i ri për kohën e nevojshme vjen pas rishikimeve që prokuroria ka bërë në provat që ka dhe listën e dëshmitarëve.

Kjo kohë është dyfish me shumë se sa koha që prokuroria në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës kishte kërkuar në gjykimin kundër kasapit të Ballkanit, Slobodan Millosheviq, përgjegjës për qindra mijëra viktima në Ballkan në tri luftëra të shkaktuara nga pushteti i tij. Për Millosheviqin ishin kërkuar vetëm rreth 360 orë.

Sipas një përllogaritje të procedurave të gjykimit, 709 orë janë dikur rreth 3 vjet kohë vetëm për prokurorinë që ta paraqes lëndën. Pas prokurorisë, kohë e njëjtë do t’i duhej edhe ekipeve mbrojtëse për ta ballafaquar rastin, që në total do të bënte që procesi të zgjaste rreth 6 vjet për krerët e UÇK-së.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ka tashmë dy vjet që mbahen në paraburgim dhe nuk dihet ende se kur do të fillojë procesi i gjykimit. Prokuroria kishte thënë dikur që ishte e gatshme të fillonte gjykimin në verën e vitit 2021, por kjo nuk ndodhi.

Një mori kritikash janë dhënë në vazhdimësi për shkelje të vazhdueshme që po bëjnë Dhomat e Specializuara në këtë proces.

Kërkesa e re e prokurorisë për orët, shpërfaq edhe një dallim të madh me kërkesën e mëhershme të saj për kohën që ju duhej për gjykim.

Muaj me parë, Prokuroria Speciale pranë Dhomave të Specializuara kishte shokuar ekipet mbrojtëse kur kishte kërkuar dikur rreth 1800 orë për vete për ta paraqitur çështjen kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Duke llogaritur kohën që ajo kërkonte dhe kohën që i duhej mbrojtjes për të kundërshtuar provat dhe pyetur dëshmitarët, i binte që procesi do të zgjaste rreth 10 vjet.

Komento: