Prokuroria kërkon dëbim të rusëve që u arrestuan në Jarinjë

17:33 | 06 Maj 2024
prokuroria-kerkon-debim-te-ruseve-qe-u-arrestuan-ne-jarinje

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë për dy personat e ndaluar me kërkesën për dëbim jashtë territorit të Kosovës, ka bërë të ditur zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni.

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë për dy personat e ndaluar, ka ngritur aktakuzë me kërkesën për dëbim jashtë territorit të Kosovës, për shkak të veprës penale “Kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare””, ka thënë Preteni për RTKlive.

Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh ka njoftuar se në Jarinjë janë arrestuar dy persona me pasaporta ruse dhe që nuk kishin vizë të Kosovës.

Ata dyshohet se kishin hyrë në Kosovë përmes rrugëve ilegale.

“Raportohet se në dalje në SPK Jarinje janë hasur dy persona me pasaporta ruse (një mashkull dhe një femer) të cilet nuk kishin viza të Republikës së Kosovës. Pas verifikimit të personave, të njejtit nuk kishin hyrje/dalje në Republiken e Kosovës. Sipas tyre, të njëjtit kanë ardhur nga Nishi i Serbisë dhe kanë përfunduar në SPK Jarinje, dyshohet se kanë ardhur rrugëve ilegale. Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit dërgohen në mbajtje”, theksohet në njoftim.

Më 30 shtator të vitit 2022, Qeveria e Kosovës kishte vendosur që të gjithë shtetasit rusë, përfshirë ata me pasaporta diplomatike, të cilët duan të hyjnë, kalojnë transit apo qëndrojnë në Kosovë, duhet të pajisen me vizë.

Komento: