Prokuroria kërkon përjashtimin e kryetares së trupit gjykues në gjykimin për korrupsion ndaj dy inspektorëve të Pejës

13:20 | 11 Qershor 2024
prokuroria-kerkon-perjashtimin-e-kryetares-se-trupit-gjykues-ne-gjykimin-per-korrupsion-ndaj-dy-inspektoreve-te-pejes

Seanca fillestare e paraparë të mbahej të martën në Gjykatën Themelore në Pejë ndaj dy inspektorëve komunalë të Pejës, Bajram Muzlijaj dhe Mentor Beqiri, dështoi për shkak se Prokuroria ka kërkuar përjashtimin e kryetares së trupit gjykues, Nushe Kuka-Mekaj.

Kërkesën për përjashim e bëri prokurorja Lumturije Vuçetaj, pas deklarimit gjykatëses Kuka-Mekaj rreth situatës se mbrojtësi i të akuzuarit Muzlijaj, avokati Besnik Berisha është mbrojtës i një familjari të saj në një procedurë tjetër gjyqësore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjyqtarja Kuka-Mekaj tha se tashmë është fakt notor që dihet edhe nga të gjithë, edhe pse Gjykata e Pejës, ka anuluar përjashtimin e saj me dy vendime të formës së prerë, për shkak se nuk ka ndonjë rrethanë anuese lidhur me përjashtimin e saj, nëse mbrojtës është avokati Berisha.

Përkundër kësaj, prokurorja Vuçetaj bëri kërkesën për përjashim lidhur me këto rrethana, ku sipas saj vihet në dyshim paanshmëria e kryetares së trupit gjykues.

Andaj, nga këto arsye seanca u ndërprit deri në marrje të vendimit nga kryetari i Gjykatës së Pejës, Armend Berisha.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë, e ngritur më 14 maj 2024 të akuzuarit Bajram Muzlijaj dhe Mentor Beqirin ngarkohen se nga 15 gushti 2018 e në vazhdimësi, në objektin individual banimi me afarizëm, me investitor Naim Krasniqi, në rrugën “Flori e Lauri”, në Pejë, në bashkëkryerje dhe në cilësi të inspektorëve të ndërtimit pranë Drejtorisë për Inspektim-Sektori i Ndërtimir, me mosveprim dhe në kundërshtim me ligjin për ndërtim dhe duke moszbatuar përgjegjësitë e tyre, me qëllim të përfitimit për personin tjetër dhe atë për investitorin e lartëcekur, nuk i ndërmarrin veprimet që përkojnë me autorizimet tyre ligjore duke e dëmtuar të dëmtuarin Qerim Haxhiaj.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit, nuk e ekzekutojnë vendimin e lëshuar nga ana e tyre me 15 gusht 2018, i cili ka obliguar investitorin të bëjë largimin e shtyllave të katiti të III-të, ku afati për heqjen e tyre kishte qenë menjëherë pas pranimit të vendimit nga ana e investitorit, mirëpo edhe përkundër këtij vendimi, investitori ndërton dhe përfundon objektin në kundërshtim me lejen ndërtimore, të cilat kanë përcaktuar se objekti duhet të ndërtohet me etazhet P+2K, si dhe hapjen e dritareve nga ana verilindore sipas kushteve të ndërtimit të lëshuara nga Drejtoria për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit.

Aty thuhet se kundër këtyre kritereve ka bërë hapjen e 10 dritareve dhe atë 3 dritare në bodrum nga fqiu i tij Qerim Haxhijaj, një dritare në lokalin afarist, si dhe dy dritare në tri katet e objektit, po ashtu edhe ka ndërtuar edhe një etazh më shumë duke kaluar në B+P+3K.

Me këtë, ngarkohen se në bashkëkryerje e në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, par.1 e lidhur me nenin 31 dhe nenin 77 të Kodit Penal.

Komento: