Prokuroria kërkon që gjykimi ndaj Salih Mustafës të nis më 12 korrik, kundërshtohet ashpër nga avokati

11:07 | 09 June 2021

Në Gjykatën Speciale po vazhdon seanca e radhës ndaj Salih Mustafës.

Aty është diskutuar për nisjen e gjykimit dhe datat e propozuara nga palët, shkruan lajmi.net.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar që gjykimi në rastin e Mustafës të nis më 12 korrik, mirëpo që kjo ka hasur në kundërshtimin e avokatit të Mustafës.

Ky i fundit ka thënë se mbrojtjes i duhen përgatitje të reja, dhe se koha më e përshtatshme do të ishte pas përfundimit të pushimit të DSK-së, pra diku pas 13 gushtit.

“Ne do të bëjmë një deklaratë hapëse që besoj që do të jetë goxha e gjatë në fillim të gjykimit. Unë e ndjek prokurorinë që thanë se duan që të kenë deklaratën e hapjes, dhe më pastaj të vazhdojnë me dëshmitarët. Megjithatë s’jemi në dakord me afatin kohor sepse kemi planifikuar disa misione. Për këtë arsye, nuk duam që të fillojmë me gjykimin në afatin e propozuar nga Prokuroria, por pas pushimit. Pra do të ishte më mirë sepse mbrojtja dhe zyra e viktimave do të duhej të përgatiten. Mendoj që pas pushimit të gjykatës, të gjitha këto gjëra do të jenë në fund më të mirë, përfshirë logjistikën dhe familjarizimin sa i përket dëshmitarëve. Në të kundërtën do të ishte e pamundur të fillojmë më 12 korrik. Nuk besoj që data 12 korrik është datë realiste. Do të ishte mirë, që gjykimi të fillojë pas pushimit të verës”, tha ai.

E kundër propozimit të prokurorisë ishte edhe Zyra e Përfaqësimit të Viktimave. Përfaqësuesja e kësaj zyreje tha se i duhet të dëgjojë shumë deklarata dhe të përgatitet sa më mirë, dhe se kjo sipas saj do të ndodhë pas pushimeve verore të Gjykatës.

“Zyra e Viktimave: Pas pushimeve verore, pasi që mirë është që të fillohet me një përgatitje sa më të gjithanshme. Është një makineri e tërë në sfond që duhet të vihet në punë. Unë duhet të jem në gjendje që të përfaqësoj viktimat, dhe ka njerëz me të cilët duhet të flas. Sigurisht që kjo varet nga koha se kur do fillojmë. Në qoftë se Trupi Gjykues vendos që të fillojmë në korrik, unë ato do t’i jap në gusht. Unë me kënaqësi do ta bëja deklaratën time në fillim të gjykimit, pas prokurorisë”, tha përfaqësuesja e lartëpërmendur.

Komento: