Prokuroria Speciale konfirmon ndalimin e një serbi në Budapest, dyshohet për krime lufte në Pejë.
Prokuroria Sepciale e Kosovës, e ka konfirmuar për klankosova.tv, se me kërkesë të tyre, një person i nacionalitetit serb, është ndaluar në Budapest të Hungarisë, meqë i njëjti dyshohet për krime lufte.
Në njoftimin e dërguar, Prokuroria Speciale, S.S, dyshohet se në periudhën kohore 26 mars deri më 28 maj 1999, i njëjti ka marrë pjesë në sulmet kundër popullatës civile shqiptare në lagjen “Kristal” në Pejë.
Klan Kosova raportoi sot gjatë ditës nga mediat hungareze për rastin në fjalë, ndërsa më poshtë e gjeni edhe njoftimin e Prokurorisë Speciale lidhur me këtë çështje.
”Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), njofton opinionin publik se në Budapest të Hungarisë, sipas Urdhër arrestit Ndërkombëtar të kërkuar nga kjo prokurori, është ndaluar personi me inicialet S.S., i nacionalitetit serb.
Prokuroria Speciale njofton se ndaj S.S., është nxjerrë Aktvendim për fillimin e hetimit për shkak që i njëjti dyshohet se në periudhën kohore 26 mars deri më 28 maj 1999, ka marrë pjesë aktivisht në kryerjen e veprave penale që ndërlidhen me krimet e luftës, ashtu që i njëjti ka marrë pjesë në sulmet kundër popullatës civile shqiptare në lagjen “Kristal” në Pejë, me ç’rast janë vrarë tridhjetetre (33) persona gjatë sulmeve të kryera në këtë periudhë kohore”.