Prokuroria mbylli rastin e aksidentit me fatalitet, pa marrë asnjë dëshmi

20:08 | 07 January 2025
prokuroria-mbylli-rastin-e-aksidentit-me-fatalitet,-pa-marre-asnje-deshmi

Video e fundit që 19-vjeçari, Malsor Pllana regjistroi me telefon, ishte dëshmia e vdekjes së tij dhe kushëririt të tij, 17-vjeçar, Shkëlqim Pllanës, në një aksident trafiku, fillim nëntorin e 2022-ës.

Kjo video dëshmon se shkaktar i aksidenti fatal ishte shpejtësia e madhe me të cilën po e drejtonte veturën Shkëlqimi, i cili në momentin kritik ishte duke bërë gara me Leutrim Berishën, raporton Kiks Kosova.

Madje, fjalët e fundit të dy të rinjve, para se vetura e tyre të përfundonte jashtë autostradës, ishin lutjet që Leutrimi të largohej nga shiriti i tyre.

Gara me vetura mes Leutrimit dhe Shkëlqimit, sipas babai të këtij të fundit, kishte nisur gjysmë ore para fundit tragjik.

Alibia e tij ishte se në orën 09:30 të mbrëmjes së 2 nëntorit, Leutrimi qe takuar me Shkëlqimin dhe Malsorin në një pompë të derivateve, dhe u kishte kërkuar atyre që të garonin me vetura.

Me t’u marrë vesh, nga aty, ata ishin nisur në drejtim të autostradës, në të cilën ishin kyçur rreth orës 22:00.

E vetëm pas pesë minutash garim në autoudhë, nga shpejtësia e madhe e lëvizjes, vetura në të cilën ndodheshin Shkëlqimi dhe Malsori kishte humbur kontrollin, duke u rrotulluar jashtë autostradës.

Për pasojë, në vendin e ngjarjes vdiq Malsori, e Shkëlqimi vetëm 7 minuta pasi u dërgua në spital.

Video që regjistroi këtë garë nuk ra asnjëherë në duart e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, ani pse telefoni me të cilin u xhirua u mbajt më shumë se 8 muaj nga Forenzika. Kështu, ia konfirmuan nga ky institucion Kiksit më shumë se dy vjet nga rasti tragjik.

Prokuroria nuk kishte marrë në pyetje as Leutrim Berishën i cili kishte qenë duke garuar me të rinjtë në momentin kur ndodhi aksidenti dhe rasti me vendim të prokurores, ishte mbyllur.

Pavarësisht insistimit të Kiksit dhe Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, Prokuroria refuzoi kërkesën për qasje në këtë vendim dhe në raportin e Forenzikës, me arsyetimin se rasti është me të mitur.

Komento: