Prokuroria ndalon katër shtetas serbë për protestat e së hënës ku u lënduan rreth 30 ushtarë të KFOR-it

11:43 | 02 Qershor 2023

Protestat e së hënës ku u lënduan rreth 30 ushtarë të KFOR’it, Prokuroria ndalon katër shtetas serbë.

Prokuroria Speciale ka ndaluar katër shtetas të Serbisë, në dy raste penale të ndara, lidhur me protestat e dhunshme të së hënës në veri të vendit, ku u lënduan rreth 30 ushtarë të KFOR’it, raporton Express.

Në rastin e parë, dy të dyshuarit e ndaluar dyshohen për veprat penale: Bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese, Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare, Sulmi ndaj personit zyrtar dhe Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi.

Në rastin e dytë, dy të dyshuarit janë ndaluar për veprat penale: Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi.

Për të këto raste, Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit.

“Në të dy rastet, PSRK në afatin ligjor ka parashtruar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit”.

Komandanti i KFOR-it, Angelo Michelle Ristuccia, ka deklaruar se po të mos ndërhynte KFOR’i në veri, “tani do të ishim duke mbajtur zi për të vdekurit”.

“Nëse nuk do të kishim ndërhyrë, tani do të ishim duke mbajtur zi për të vdekurit”, ka deklaruar Ristuccia.

Ai ka thënë se në Zveçan ka pasur njerëz të cilët “me qëllim e kanë nxitur turmën” e banorëve serbë të cilët janë mbledhur prej katër ditësh para objektit komunal.

Rreth 30 ushtarë të KFOR’it kanë mbetur të lënduar gjatë përplasjeve me protestuesit serbë, para objektit të Komunës së Zveçanit, gjatë protestave që u mbajtën të hënën. Njëmbëdhjetë ushtarë janë të kontingjentit italian dhe 19 të tjerë janë të kontingjentit hungarez.

Lëndimet e tyre përfshijnë fraktura të gjymtyrëve, djegie, ndërkohë që 3 ushtarë hungarez janë të plagosur me armë zjarri.

Situata në veri të vendit është tensionuar nga dita e premte, kur Policia e Kosovës asistoi kryetarët e zgjedhur të komunave në veri, që të hynin në zyret e tyre në objektet komunale, meqë qytetarë serbë kishin bllokuar hyrjen para objekteve.

Komento: