Nesër do të intervistohet i gjithë stafi dhe banorët në “Orenda”.
Sot, në media dhe rrjete sociale, është publikuar një video ku shihet se disa infermiere në qendrën për përkujdesjen e të moshuarve “Orenda” ushtrojnë dhunë fizike ndaj një të moshuare. I gjithë stafi dhe banorët e kësaj qendre, pritet të intervistohen nesër nga zyrtarët policorë.
Kështu tha zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, në emisionin “Pressing” të T7.
Ai deklaroi se Policia e Kosovës do të intervistojë të gjithë personat që janë personel në këtë strehimore dhe të gjithë të moshuarit që janë të vendosur aty
“Nesër me autorizimin e Prokurorisë së Shtetit, Policia e Kosovës do të intervistojë të gjithë personat që janë personel në këtë strehimore dhe të gjithë të moshuarit që janë të vendosur aty. Besoj që nga këto raste do të pranojmë informata, varësisht çka deklarojnë. Gjatë rrugës që ishim këtu kemi pranuar raportime tjera që lidhen me këtë rast”, tha Nikçi.
Lidhur me rastin deri tani janë arrestuar tri infermiere, derisa e moshuara është larguar nga kjo qendër.
Një rast tjetër që u bë publik sot, është edhe denoncimi që Tomor Hasani e ka bërë ndaj kësaj qendre. Sipas tij, halla e babait të tij është keqtrajtuar nga infermieret, për çka, Hasani ka dërguar ankesë në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, por nuk është marrë parasysh.
Nikçi në T7 tha se Prokuroria e ka autorizuar Policinë e Kosovës që ta trajtojë informatën e Hasanit.
“Pranova informata nga prokurori që është autorizuar Policia e Kosovës me trajtu informatën e z. Hasani në rast se ka elemente të veprës penale”, tha Nikçi.