Prokuroria ngre aktakuzë për grabitjen pranë Tregut të Gjelbër në Prizren

15:00 | 03 Qershor 2026
prokuroria-ngre-aktakuze-per-grabitjen-prane-tregut-te-gjelber-ne-prizren

Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve K.K., Sh.G., V.S., dhe L.G., të cilët gjenden në paraburgim, për shkak të dyshimit të bazuar mirë së të njëjtit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Grabitja”, ndërsa K.K., dhe Sh.G., kanë kryer po ashtu edhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” .

Sipas aktakuzës, më datë 03.02.2026, rreth orës 01:05, në Prizren, në afërsi të “Tregut të Gjelbër”, të pandehurit, pas një marrëveshjeje paraprake ndërmjet tyre, kanë vepruar në bashkëkryerje me qëllim të përvetësimit të pasurisë së luajtshme të të dëmtuarës L.R., duke përdorur kanosje serioze me armë dhe thikë.

“Të pandehurit e lartcekur, të maskuar dhe të armatosur, i janë afruar automjetit ku ndodheshin të dëmtuarit L.R., dhe H.S., dhe nën kërcënim të thikës dhe armës, të dëmtuarve u kanë kërkuar para, ku nga e dëmtuara L.R., kanë marrë të holla kesh, si dhe nga automjeti është marrë një send me vlerë të vogël”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, pas kryerjes së veprimeve, të pandehurit janë larguar nga vendi i ngjarjes me automjetin me të cilin kishin ardhur, dhe janë larguar në drejtim të panjohur, ndërsa të dëmtuarit kanë njoftuar Policinë e Kosovës.

Gjatë kontrolleve të realizuara nga Policia e Kosovës janë gjetur dhe konfiskuar dy armë zjarri, përkatësisht një pistoletë e tipit “Zoraki” cal. 9 mm me një karikator dhe një fishek, si dhe një pistoletë e tipit “EKOL” cal. 9 mm me karikatorin përkatës. Po ashtu, është konfiskuar edhe automjeti i markës “Golf VII”, i cili, ka shërbyer si mjet për kryerjen e veprës penale.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Komento: