Prokuroria nisi hetimet ndaj ish-ministrit që e mohoi masakrën e Reçakut, reagon ashpër Lista Srpska

19:49 | 12 April 2019

Vjen reagimi i Listës Serbe.

Lista Serbe ka reaguar ndaj inicimit të rastit ndaj tashmë ish-ministrit të MAPL-së, Ivan Todosijeviq, në lidhje me deklarimet e tij se “masakra e Reçakut ka qenë trillim”.

Goran Rakiq, kryetar i Listës Serbe, ka thënë se njoftimi për inicimin e rastit ndaj Todosijeviqit është vazhdim i politikës së frikësimit të të gjithë serbëve të lirë që nuk janë lodhur kurrë në luftën për popullin e tyre dhe Serbinë e tyre, por as nga lufta e qartë për të vërtetën.

“Pas tentimit të vrasjes së nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojiçiqit, nëntorin e vitit të kaluar, ky është edhe një proces tjetër përmes së cilit Prishtina dëshiron të hesht Listën Serbe, rrjedhimisht popullin serb, në mënyrë që të mos dëgjohet e vërteta për vuajtjet e popullit tonë 20 vitet e fundit”, ka thënë Rakiq.

Tutje, ai ka thënë se me qëllimin e ruajtjes së paqes, kemi treguar gatishmëri të ruajmë lidhjen tonë dhe të mos lejojmë që populli ynë të bie në provokimet e Prishtinës në periudhën e fundit.

“Megjithatë, si president i Listës Serbe, dëshiroj të paralajmëroj Prishtinën se populli serb nuk do të lejojë që përmes presionit dhe dhunës institucionale të kryhet spastrim etnik ndaj përfaqësuesve politikë serbë me dëshirën për të nënshtruar dhe mposhtur popullin serb në Kosovë e Metohi. Qëllim i Prishtinës është i qartë, ndërsa ne nuk mundemi vetëm të vëzhgojmë kur ndaj më të mirëve në mesin tonë ngrihen aktakuza të montuara dhe t’i largojnë nga Kosova e Metohia”, ka shtuar ai.

Ai thotë se çdo aktivitet i ndërmarrë kundër cilitdo serb “do ta marrim me seriozitetin më të lartë”.

“Porosia jonë e qartë është se nuk do të lejojmë që të vazhdojnë me presione, terror e dëbime të kujtdo që atyre nuk u konvenon, përderisa nuk e thyejnë shpirtin e lirë të popullit tonë”, theksoi Rakiq.

Kreu i Listës Serbe i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare, BE-së, UNMIK-ut si dhe ambasadave ndërkombëtare në Kosovë, që të “reagojnë me urgjencën më të lartë ndaj këtyre provokimeve dhe të ndalojnë eskalimin e mëtejmë të gjendjes në terren e cila mund të shkaktojë dëme të papara në këtë hapësirë”.

Komento: