Prokuroria për zjarrin në IML: Kemi lëshuar autorizime për kryerjen e ekzaminimeve në vendngjarje

14:46 | 21 Nëntor 2023
prokuroria-per-zjarrin-ne-iml:-kemi-leshuar-autorizime-per-kryerjen-e-ekzaminimeve-ne-vendngjarje

Ndërtesa e Institutit të Mjekësisë Ligjore sot në Prishtinë është përfshirë nga zjarri.

Shkaku i zjarrit ende nuk dihet.

Për këtë rast, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka deklaruar se prokurori i shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes dhe se janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore që të sqarohen shkaqet.

Zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj, ka folur për Front Online.

Ajo tha se janë lëshuar autorizime për kryerjen e ekzaminimeve nga vendi i ngjarjes.

Ulaj tregoi se prokuroria në koordinim me Policinë, IML’në dhe institucionet tjera relevante janë duke vazhduar veprimet hetimore për të sqaruar rastin.

“Me të pranuar informatën nga Policia e Kosovës lidhur me incidentin e zjarrit në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, Prokurori i Shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes bashkë me të gjitha njësitë relevante për t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të sqarimit të shkaqeve të këtij incidenti. Prokurori i Shtetit ka lëshuar disa autorizime për kryerjen e ekzaminimeve nga vendi i ngjarjes dhe nga të gjeturat e tyre eventualisht në rast të paraqitjes së elementeve të veprës penale, do t’i ndërmerrë veprimet e mëtejme konform dispozitave të KPPRK-së. Prokuroria në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, IML-në dhe institucionet e tjera relevante janë duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore deri në sqarimin e plotë të rastit në fjalë”, u shpreh Ulaj.

Lidhur me zjarrin në IML, Ministria e Drejtësisë ka dalë me një reagim.

Në njoftim thuhet se në vend të ngjarjes ka qëndruar zëvendësministri Blerim Sallahu.

“Sot rreth orës 08:00 në hapësirat e IML-së ka filluar një zjarr që ka përfshirë disa nga zyrat e katit të dytë të objektit. Zjarri është lokalizuar dhe për momentin nuk dihen shkaqet. Menjëherë pas pranimit të informacionit, ekipet e zjarrfikësve dhe policisë kanë shkuar në vend të ngjarjes. Zëvendësministri Sallahu është duke qëndruar po ashtu atje, për të kuptuar më shumë rreth situatës së krijuar”.

 

Komento: