
Prokuroria Themelore në Ferizaj, përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se më 22.01.2026, kishte autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore lidhur me dyshimet për manipulime të votave për kandidatë për deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës, me qëllim të sigurimit të provave relevante dhe identifikimit të personave përgjegjës, në komunat të cilat janë në kompetencë territoriale të kësaj prokurorie.
Pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore nga Prokurori i Shtetit dhe pas mbajtjes së takimeve koordinuese me Policinë e Kosovës, si dhe pas raportit të pranuar nga ana e tyre, për komunat nën kompetencë të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Prokuroria njofton se në komunën e Ferizajt, në bazë të raporteve të pranuara, e cila përfshin 153 vendvotime, keqpërdorimet me vota kanë rezultuar të jenë në një përqindje të ulët, konkretisht prej 153 vendvotimeve- vetëm një (1) kandidat në të gjitha qendrat ka pasur shtim prej shtatë (7) votash, ndërsa, për kandidatët e tjetër rezulton nga një (1) deri në tre (3) vota.
Në komunën e Hanit të Elezit përqindja e manipulimeve është gjithashtu e ulët dhe e krahasueshme me atë të Ferizajt.
Tek komuna e Shtimes, janë evidentuar manipulime në tri qendra të votimeve dhe ka rezultuar me një përqindje pak më të lartë, ku rezulton një numër pak më i madh i shtimit të votave për tre kandidatë prej dhjetë (10) deri në dyzet e pesë (45) vota.
Në lidhje me këto manpulime, është autorizuar Policia e Kosovës që të intervistohen kryesuesit e qendrave të numërimit për komunën e Ferizajt dhe Hanit të Elezit, si dhe komisionerët dhe kryesuesit në cilësinë e të dyshuarve, në komunën e Shtimes.
Ndërsa, sa i përket komunës së Kaçanikut dhe Shtërpcës, Prokuroria është ende në pritje të raporteve përfundimtare nga ana e Policisë së Kosovës.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, do të vazhdojë me hetime në procedurë të rregullt, deri në intervistimin e të gjithë të dyshuarve, përveç nëse paraqitet ndonjë rrethanë tjetër që kërkon veprime tjera hetimore shtesë.