Prokuroria: Pesë persona të ndaluar për vepra penale kundër të drejtës së votës

21:40 | 07 Qershor 2026
prokuroria:-pese-persona-te-ndaluar-per-vepra-penale-kunder-te-drejtes-se-votes

Prokuroria e Shtetit ka bërë të ditur se gjatë ditës së zgjedhjeve ka identifikuar 17 raste që përmbajnë elemente të veprave penale kundër të drejtave të votimit, ndërsa pesë persona janë ndaluar deri në këto momente në kuadër të hetimeve që po zhvillohen.
Sipas njoftimit zyrtar, mbi 100 prokurorë dhe pjesëtarë të personelit të sistemit prokurorial kanë qenë të angazhuar gjatë gjithë ditës për të monitoruar dhe garantuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

“Gjatë ditës së sotme Prokurori i Shtetit ka pranuar disa informata dhe pas verifikimit dhe trajtimit të tyre, deri në mbyllje të procesit të votimit, është konstatuar se vetëm shtatëmbëdhjetë prej tyre paraqesin elemente të kryerjes së veprave penale kundër të drejtave të votimit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sipas të dhënave të publikuara, numri më i madh i rasteve është regjistruar në Prizren me gjashtë raste, pasuar nga Prishtina me katër raste. Ndërkaq, në Ferizaj janë evidentuar tre raste, në Pejë dy raste dhe në Mitrovicën e Veriut dy raste.

“Nga të gjitha këto raste kemi pesë persona të ndaluar dhe dymbëdhjetë persona të liruar në procedurë të rregullt”, ka bërë të ditur Prokuroria e Shtetit.
Institucioni i akuzës ka njoftuar se angazhimi i prokurorëve nuk përfundon me mbylljen e vendvotimeve. Sipas Prokurorisë, prokurorët kujdestarë do të vazhdojnë të monitorojnë procesin edhe gjatë numërimit të votave dhe transportimit të materialit zgjedhor në qendrat komunale të numërimit.

Në fund të reagimit, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka falënderuar qytetarët, mediat dhe organizatat e shoqërisë civile për bashkëpunimin e treguar në raportimin dhe parandalimin e parregullsive zgjedhore.

“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit falënderon qytetarët e Republikës së Kosovës, mediat dhe shoqërinë civile për bashkëpunimin e treguar me Prokurorin e Shtetit, me qëllim parandalimin dhe ndjekjen e suksesshme të veprave penale lidhur me këto zgjedhje”, thuhet në njoftim.

Komento: