Prokuroria po interviston dëshmitarë dhe të dyshuar për incidentin në Skënderaj

19:59 | 14 Maj 2026

Valon Preteni, nga Prokuroria e Mitrovicës, ka deklaruar se janë duke u intervistuar dëshmitarë dhe të dyshuar në lidhje me rastin e sotëm në Skënderaj, ku është sulmuar kandidati për deputet dhe zëvendësministri në detyrë të Financave, Hysni Mehani.

“Po, mund të konfirmojmë se janë duke u intervistuar dëshmitarë dhe të dyshuar në lidhje me rastin. Prokurorja ka qenë gjatë tërë pasdites në Skenderaj, ku janë mbledhur prova në lidhje me rastin”, ka thënë Valon Preteni nga Prokuroria e Mitrovicës, tha ai.

Ndryshe, kryetari i degës së Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në Skenderaj, Hysni Mehani, dhe aktivisti Bahri Zabeli kanë deklaruar të enjten se janë sulmuar nga kryetari i komunës, Sami Lushtaku nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dhe njerëzit e tij, të cilët Mehani i ka quajtur “banda e Lushtakut”.

Rasti u bë publik fillimisht nga Zabeli përmes një postimi në Facebook në emër të Mehanit, ku lajmëronte se ishte rrahur dhe se i ishte marrë telefoni.

LVV reagoi duke publikuar një foto të Mehanit, ku shihet i gjakosur në fytyrë, dhe duke pretenduar se sulmi ka ndodhur në një kafene në qendër të Skënderajt, ku Mehani po pinte kafe me ish-deputeten Arjeta Fejza dhe aktivistë të partisë.

Për këtë rast, ka reaguar edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

“Hysni Mehani u sulmua me grushte dhe u godit në kokë me gotë teksa po pinte kafe me deputeten Arjeta Fejza dhe aktivistët tjerë. Qeveria e Kosovës e dënon këtë sulm qyqar e të papranueshëm që e shpërfaq mendësinë banditeske. Veprimet e tilla nuk na trembin e nuk na shtyjnë të tërhiqemi nga gara politike në asnjë qytet. U bëjmë thirrje institucioneve dhe organeve të rendit e drejtësisë që me urgjencë të marrin veprimet e nevojshme ndaj përgjegjësve për këtë sulm”, tha Kurti.

Por krejt ndryshe e paraqet ngjarjen Sami Lushtaku. Kryetari i Skënderajt pretendon se objektiv i provokimit ishte ai dhe akuzon drejtpërdrejt pushtetin e Albin Kurtit.

“Pushteti i Albin Kurtit përmes mekanizmave të tij tentoi që sot të më sulmojë në Skënderaj”, shkroi Lushtaku.

Ai reagoi edhe ndaj etiketimeve politike që, sipas tij, po përdoren prej kohësh ndaj tij.

“E kam një jetë në shërbim të vendit, kurse etiketat si ‘Sami Serbia’ qytetarët nuk i tolerojnë më, prandaj edhe reaguan”, deklaroi ai.

Komento: