Prokuroria thotë se Pjetër Shala mori pjesë në vrasjen e një personi

13:28 | 21 Shkurt 2023

Ushtruesi i Detyrës së Prokurorit të Specializuar, Alex Whiting, ka thënë se Pjetër Shala ishte pjesë e grupit me Sabit Gecin e Xhemshit Krasniqin dhe se mori pjesë në vrasjen e një personi.

Whiting tha se çështja gjyqësore kundër Shalës, në fakt është shumë e thjeshtë, edhe pse ka ndryshuar në mënyrë tragjike jetën e shumë njerëzve dhe i ka dhënë fund jetës së në personi.

Sipas tij, dëshmitë do të tregojnë se në pranverën e 1999 në Kukës në Shqipëri, i akuzuari ka kryer krimet që janë në aktakuzë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai tha se dëshmitë do të tregojnë se ishte pjesë e një grupi të vogël ushtarësh të UÇK që kanë kryer këto krime. Sipas tij, ky grup përfshinte Sabit Gecin dhe Xhemshit Krasniqit, të dy të shpallur fajtor në dy gjyqe në Kosove për krimin e ndalimit arbitrar dhe keqtrajtimin e zhvilluar në fabrikën e Metalit në Kukës.

Sipas tij, aktakuza tregon se janë ndaluar dhe keqtrajtuar të paktën 18 viktima në këtë fabrikë.

“Ky grup kriminal përfshirë të akuzuarin ka vrarë njërin prej këtyre viktimave natën mes 4 apo 5 qershorit të 1999, apo afërsisht në atë kohë. Viktimat e kësaj çështje janë shënjestruar për shkak të afërsisë së perceptuar që kishin me serbët. Janë trajtuar si spiunë dhe bashkëpunëtorë që kanë merituar dënimin e poshtërimin. Janë ndaluar pa asnjë proces të ligjshëm”, tha ai.

Tutje, tha se ka marrë pjesë në arrestimin e të paktën një personi dhe transferimin në këtë pikë të ndalimit dhe ka kontribuar në mbajtjen e e kushteve çnjerëzore.

Sipas tij, i akuzuari mori pjesë në rrahje, rrahje me shufra e objekte të mprehta, ku si rezultat i rrahjeve, viktimat janë mbuluar me gjak. Ai tha se viktimat nuk kanë qenë në gjendje të ecin në këmbë.

Ai tha se Shala ka marrë pjesë në grupin, ku e rrahën njërin nga viktimat, i cili është vrarë, duke e rrahur vazhdueshëm e më pas qëlluar me armë në këmbë, ku i njëjti më pas ka pësuar hemorragji.

Në deklaratën e tij hyrëse, Ushtruesi i Detyrës së Prokurorit të Specializuar, Alex Whiting, ka deklaruar se është privilegj të flas para trupit gjykues në fillim të këtij gjykimi.

Ai tha tani janë një institucion që funksionon në mënyrë të plotë, me baza të thella dhe i provuar, institucion që ka provuar se mund të arrij rezultate se mund të gjykoj çështje gjyqësore brenda mandatit të saj, në mënyrë të drejtë dhe efektshme dhe shpesh në situata që janë sfiduese dhe të jashtëzakonshëm.

Sipas tij, meritën për këtë arritje janë shtetet që kanë krijuar këtë gjykatë dhe vazhdojnë të mbështesin atë dhe punonjësit e dedikuar të ZPS, të DhSK-së, zyrës administrative, zyrës së Kryetares, përfaqësuesit të viktimave dhe palës mbrojtjes.

“Mbi të gjitha meritën e kanë ata në Kosovë që kanë mbështetur punën e kësaj gjykate dhe në mënyrë të veçantë viktimat e dëshmitarë”, tha ai, duke shtuar se ata kanë treguar guxim të jashtëzakonshme që kanë ardhur në atë karrige dhe kanë dëshmuar.

Ai tha se klima e frikësimit të dëshmitarëve në Kosovë është reale, e gjithanshme dhe në vazhdim e sipër.

“Zyra jonë dhe ky institucion herë pas herë kanë marrë veprime për t’iu kundërvënë kësaj klime, duke mbrojtur dëshmitarët dhe duke marrë masa ndaj çdokujt që ka kërkuar të minojë këtë institucion apo frikësoj dëshmitarët”, tha ai, duke shtuar se do të vazhdojnë të bëjnë këtë në mënyrë që dëshmitarët të vinë në gjykatë dhe japin dëshminë e tyre në mënyrë të sigurt”, tha Whiting.

Tutje, tha se kjo klimë do të peshojë mbi dëshmitarët që do të vinë në këtë sallë gjyqi për të dhënë dëshminë e tyre.

“Është klima, në të cilën ata dhe familjet e tyre jetojnë në çdo ditë të jetës. Është realitet në të cilin ata duhet të kthehen menjëherë”, tha ai në vijim.

Sipas tij, ata do të kërkojnë gjithmonë nga gjykata të mos harrojnë rrethanat, në të cilat po jepin dëshmitë e tyre ata, klimën e frikësimit dhe kërcënimit dhe efektin që mund të ketë këtë klimë.

“Suksesi i këtij institucioni përbën sukses edhe për Kosovën. Kundërshtarët e kësaj gjykate në mënyrë të vazhdueshme kanë pretenduar se ajo është kundër Kosovës dhe kundër UÇK-së. Asgjë nuk është e vërtetë. Është gjykatë e Kosovës e ndërtuar nga Kuvendi i Kosovës me mbështetje dhe bashkëpunim ndërkombëtar, gjykatë që është brenda kornizës ligjore të Kosovës”, ka thënë Whiting.

Ai tha se çështjet gjyqësore nuk janë kundër Kosovës e UÇK-së, por individëve që pretendohet se kanë kryer krime gjatë luftës.

Sipas tij, në çështjet e tjera, përfshirë këtë, shumica e viktimave janë shqiptarë të Kosovës, e në disa të gjitha dëshmitarët janë viktima shqiptarë.

Ai tha se janë të bindur se provat që kanë paraqitur vërtetojnë se Shala mban përgjegjësi.

Komento: