
Policia e Elbasanit ka zbuluar detaje të reja rreth kanabisit të fshehur në një magazinë në Peqin.
Sipas policisë, një person është arrestuar për “Shpërdorim detyre” dhe shpallen në kërkim 2 autorë të dyshuar (të afërm me njëri-tjetrin), si dhe 2 shtetas të tjerë për “Shpërdorim detyre”.
Gjithashtu është njoftuar se janë sekuestruar 1105 vazo ku ishin kultivuar bimë narkotike kanabis, një pjesë e të cilave u asgjësua me anë të djegies.
Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, në kuadër të operacionit “Kurtaj”, i zhvilluar në fshatin Kurtaj, Njësia Administrative Gjocaj, Bashkia Peqin, strukturat e Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, kanë vijuar veprimet hetimore dhe verifikuese.
Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se, në këtë ambient nëntokësor të përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, janë konstatuar 1105 vazo ku ishin kultivuar bimë e fidanë të dyshuar kanabis, si dhe pajisje të shumta elektrike që shërbenin për këtë veprimtari kriminale.
Në vijim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasi E. D., 23 vjeç, banues në Gjocaj, Peqin, me detyrë faturist i energjisë elektrike, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit:
-R. H., 30 vjeç, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, pronar i ambienteve ku u gjetën bimët narkotike;
-E. H., 24 vjeç, banues në Kurtaj (i afërm i shtetasit R. H.), i dyshuar për “Kultivim të bimëve narkotike” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”;
-E. M., 36 vjeç, përgjegjës i OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorim detyre”;
-D. E., 34 vjeç, përgjegjës i OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorim detyre”.
Një ditë më parë, u vetësdorëzua në polici edhe drejtori i burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa, si i dyshuar dhe u lirua një ditë më vonë pas dëshmisë së dhënë.
Nga veprimet hetimore të kryera nën drejtimin e Prokurorisë rezultoi se ambientet ku u konstatua veprimtaria kriminale janë në pronësi dhe në administrim të vëllait të tij, shtetasit R. H.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.