Propozimi i fundit: Sezoni i ardhshëm le të shtyhet deri në shkurt.
Drejtori ekzekutiv i klubit italian Monza, Adriano Galliani, ka sugjeruar që sezoni i ardhshëm në botën e futbollit, 2020/21, të zhvillohet përgjatë vitit të ardhshëm, duke e marrë si shembull Amerikën e Jugut.
Sezoni 2019/20 i futbollit është pezulluar përkohësisht shkaku i përhapjes së madhe të virusit Covid-19. Ende nuk është e qartë se kur do të jetë e mundur të rinisin ndeshjet, pasi që situata varet e gjitha nga situata me koronavirusit, transmeton Gazeta Express.
Shtyrja e këtij sezoni mund të ndikojë edhe në sezonin e ardhshëm dhe ish-drejtori i Milanit tani në Monza, Galliani, ka sugjeruar që sezoni i ardhshëm të shtyhet deri në shkurt të 2021-tës, e jo të rinisë si zakonisht në gusht ose shtator.
“Për dy vjet, ashtu siç bëjnë në Amerikën e Jugut, kampionatet le t’i zhvillojmë brenda një viti kalendarik. Sezoni 2020/21 mund të nisë në shkurt të vitit 2021 dhe e njëjta gjë të ndodhë edhe në vitin e ardhshëm”, ka thënë Galliani.
“Pas kësaj, ne mund t’i kthehemi zakoneve të vjetra, por jam i sigurt se në dy vjet, ne do të bindemi se kjo është një zgjidhje e mirë. Në korrik dhe gusht do të zhvilloheshin ndeshjet në mbrëmje, kështu që do të ishte e mrekullueshme për tifozët. Mendoj se do të kishte audienca edhe më të mëdha”,
“FIFA e zhvendosi Kupën e Botës 2022 në fund të vitit. Edhe ne duhet ta bëjmë të njëjtën gjë me Kampionatin Evropian dhe Kupën e Amerikës në vitin 2021. Mund ta lëjmë Evropianin edhe verës, duke i ndërprerë ndeshjet e kampionateve. Por në fund, duhet t’i kthehemi futbollit”.