Protesta e opozitës, blindohen dyert e kryeministrisë.
Ditën e sotme në Tiranë do të mbahet protesta e thirrur nga opozita prej disa ditësh.
Siç dhe është njoftuar nga opozita, protestuesit do të mblidhen në orën 16:00 para kryeministrisë.
Ndërkohë bëhet me dije se dyert kryesore të kryeministrisë janë blinduar duke u veshur me llamarinë të fortifikuar.Po ashtu, një ndër masat e marra është lyerja e shtyllave të ndriçimit me material graso.
Këto masa vijnë pasi përfaqësues të Rithemelimit kanë paralajmëruar se do të rrethojnë kryeministrinë. Nga ana tjetër, kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është shprehur se do të mbishtesë protestën e thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha, por ka kërkuar që të shmanget çdo episod dhune.
Ndërkohë policia ka bërë të ditur se disa akse rrugore do të jenë të bllokuara që prej orës 15:00 deri në përfundim të protestës.
Segmentet rrugore që do të jenë të bllokuara janë: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.
Në kryeqytet që prej orëve të para të mëngjesit janë shtuar patrullimet në të gjitha akset hyrëse për në kryeqytetin shqiptar.
Mbi 1 mijë efektivë të të gjitha strukturave të policisë do të jenë në terren, shumica e të cilëve do të përqëndrohet rreth e rrotull godinës qeveritare për të ndaluar çdo tentativë për dhunim të institucioneve shtetërore.