Protesta e punëtorëve/ Sindikatat kërkojnë rritje të pagave mbi 30%, kritikojnë ashpër Qeverinë “Kurti”

08:03 | 01 Maj 2024

Si rrallëherë qindra punëtorë kosovarë sot (më 1 maj ) pritet të protestojnë në Sheshin e Prishtinës, duke kërkuar rritje të pagave dhe kushte më të mira në punë.

Kosova është vendi me pagat më të ulëta jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë. Paga mesatare në vend, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, sillet 521 euro bruto, apo rreth 470 euro neto.

Rrahman Jasharaj: Sot nuk festojmë, por protestojmë

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, thotë se këtë 1 Maj punëtorët nuk do të festojnë, por do të protestojnë.

Fajin për pakënaqësitë e punëtorëve Rrahmani e ka hedhur tek pushteti aktual.

Ai deklaron se dialogu SBASHK-u-Qeveri ka munguar gjatë tre vite të qeverisjes “Kurti”.

“Për shkak të mungesës së dialogut, së paku t’i debatonim kërkesat që na vijnë nga anëtarësia, u detyruam që ta dëgjojmë zërin e tyre dhe ta bëjmë një protestë. Mungesa e dialogut po ndikon që edhe kërkesat e ligjshme të mos jenë të respektuara. Jo vetëm kërkesat tona, por as kërkesat tjera nuk merren parasysh dhe Qeveria ka qasje të gabuar dhe nuk ka takime që do të realizohen disa kërkesa të anëtarësisë”, deklaroi Jasharaj.

Kreu i SBASHK-ut ka treguar për Front Online disa pakënaqësi që kanë punëtorët në arsim.

“E kemi një kërkesë për rritjen e pagave për 30% dhe ngritja që është bërë është ironike. E keqja e tjetër që bën Qeveria “Kurti” është se i bënë ligjet më pak të favorshme se sa të ato që kanë ekzistuar. Bllokimi i punës dhe funksionit të Këshillit Ekonomik Social, ku në Ligj shihen të jenë tri parë 5 përfaqësues të Sindikatave, 5 përfaqësues nga ministria dhe 5 përfaqësues nga odat, kjo është pakënaqësia tjetër, ka disa kërkesa në protestë”, ka pohuar Jasharaj.

Jasharaj ka folur edhe për mos zbatimin e Kontratës kolektive, me ç’rast ka akuzuar ministren Nagavci për goditje të SBASHK-ut.

“Kontrata Kolektive konsiderojmë se është valide, sepse nuk ka pasur dhe nuk ka të drejtë njëra palë ta zhvleftësoj e aq më tepër zonja Nagavci dhe nuk ka sjellur ndonjë vendim për të, por qëllimi i saj ka qenë të godas edhe njëherë SBASHK-un”, vlerëson Jasharaj.

Azemi: Po shkelen të drejtat e punëtorëve në sektorin privat, Kurti nuk i mbajti premtimet

Edhe, kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat ka shprehur pakënaqësitë me të drejtat e punëtorëve në Kosovë.

Jusuf Azemi ka deklaruar se punëtorët e sektorit privat janë në gjendje të rëndë.

Ai ka numëruar disa kushte që kanë ata.

“Punëtorët e sektorit privat në veçanti i kanë kushtet e këqija. Sektori publik i kanë pak më mirë kushtet se privati. Punëtorët e sektorit privat kanë mbetur në dëshirën e pronarit e kompanisë. Pagat e vogla, mos respektimi i ligjit , mos respektimi i pushimit vjetor, mjekësor etj. E kanë bërë gjendjen më të rëndë se sa që është dashur të jetë”, u shpreh Azemi.

Mos zbatimi i premtimeve për punëtorët, po e përballë qeverinë ‘Kurti’ me protesta të shpeshta, thotë Azemi.

Ai thotë se mungon dialogu mes pushtetit dhe sindikatave.

“Protestat e shpeshta po ndodhin pasiqë kryeministri dhe ministri nuk po i trajton për së afërmi punëtorët edhe ato kushte që vet i ka premtuar dhe nuk kanë filluar as të implementojnë. Protestat e grevat po bëhen në bazë të ligjit që e kemi në fuqi. Nuk ka dialog të sinqertë. Kur kryeministri nuk fillon të merret me problemet, ato vetëm do të rritën më shumë”, tregon Azemi.

Gashi: Pagat e ulëta, jo atraktive për punëtorët

Kritikat për mos respektimin e të drejtave të punëtorëve në Kosovë, janë shprehur edhe nga Ali Gashi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Administratës të Kosovës.

Gashi ka deklaruar për Front Online se kushtet e punës dhe pagat nuk janë të mira.

Ai ka një apel për Qeverinë e Kosovës.

“Nuk janë duke u respektuar aspak të drejtat e punëtorëve. Kemi një fluks të jashtëzakonshëm të mos interesimit të punëtorëve për t’u punësuar në sektorin publik e privat. Kushtet janë shumë të këqija, pagat e ulëta të cilat nuk i përballojnë kostot e larta ekonomike. Tek sektori privat ende punohet pa kontrata dhe nuk respektohen Ligji i Punës të drejtat që derivojnë nga ky ligj. Bëj apel te Qeveria dhe Inspektorati i Punës që t’I kontrollojnë kompanitë që nuk i respektojnë të drejtat e punës”, tha Gashi.

Kreu i BSPK-së: Protestojmë më 1 Maj, punëtorët kanë shumë pakënaqësi

 “Të drejtat e punëtorëve janë anashkaluar dhe po anashkalohen, këtë e dinë vetë punëtorët po edhe ne si BSPK, e këtë e di edhe Qeveria. Ne e kemi ngritur zërin dhe po e themi vazhdimisht, për atë edhe do të dalim në protestën e 1 Majit. Deri sa ka protesta dhe kërkesa të arsyeshme, po edhe mos hapësirë të duhur që punëtori ta kërkojë të drejtën e tij të mbrojtur me ligj”, deklaron për Front Online kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli.

Ai ka deklaruar se punonjësit nuk kanë të ardhme të sigurt pune dhe kanë kushte të vështira.

“Punëtorët kanë pasur dhe kanë pakënaqësi të shumta, ata e dinë fort mirë se djersa e tyre për punën që bëjnë nuk ua mundëson që dinjitetshëm të jetojnë duke gëzuar rezultatet e punës. Punëtorët kanë kushte të vështira të punës, nuk kanë sigurime shëndetësore dhe nuk janë të mbrojtur me një marrëveshje të përgjithshme kolektive dhe nuk kanë një të ardhme të sigurte pune”, u shpreh Hykolli për Front Online.

Infermierët shprehin pakënaqësi të shumta, rastet e diskriminimit në punë nuk mungojnë

Pakënaqësi të shumta ka edhe tek Infermierët.

Edhe rastet e diskriminimit të punëtorëve Oda e Infermierëve i ka përcjellë me shqetësim.

Kryetarja e Odës së Infermierëve, Nexhmie Gori ka treguar disa nga problemet që përballën infermierët.

“Pakënaqësitë e infermierëve kryesisht konsistojnë me kushtet e punës, kategorizimin në Ligjin e Pagave, mungesën e sigurisë në punë ,mungesën e sigurimeve shëndetësore si dhe gjendjen jo të mirë materiale në të cilën gjendet komuniteti infermierë”, deklaroi Gara.

Gara thotë se për çdo diskriminim të punëtorëve, OIK ka mbështetur ata.

“Duka pasur parasysh tranzicionin nëpër  te cilin po kalon vendi, brishtësinë e funksionimit të ligjeve dhe institucioneve të drejtësisë, OIK i përcjell me shqetësim rastet e diskriminimit qe ndodhin ne vendet e punës, e qe nuk paraqesin dukuri por aty ku ka raste te izoluara te diskriminimit OIK reagon dhe mbështet anëtaret e saj”, thotë Gara.

Ajo ka treguar se çfarë masa janë marr për mos cenimin e të drejtave të infermierëve në vendet e punës.

“Në kuadër të OIK kemi mbajtur edukim të vazhdueshëm në kuadër të cilit kemi informuar komunitetin infermieror për të drejtat e tyre ligjorë. Kjo për të ngritur shkallen e ndërgjegjësimit kundrejt çfarëdo forme të diskriminimit. OIK ka angazhuar përmes marrëveshjes të bashkëpunimit edhe Këshilla Juridike dhe asistencë të avokatit në rastet kur anëtaret tonë nga komuniteti infermieror ballafaqohen me cenim të të drejtave të tyre në vendet e punës”, përfundoi Gori për Front Online.

1 Maji edhe te ne në Kosovë ka një traditë. Edhe pse pushohet në shumicën e institucioneve ndër të tjera një pjesë e madhe edhe festojnë në këtë ditë./FrontOnline/

 

 

Komento: