Protesta në orën 16:00, organizatorët: Politikanët nuk janë të mirëseardhur

13:15 | 28 Tetor 2026

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka thirrur protestë për në orën 16:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

Sipas një njoftimi paraprak, gjatë protestës do t’u jepet institucioneve të Kosovës një ultimatum prej 24 orësh, duke kërkuar nisjen e hetimeve dhe shkarkimin e zyrtarëve që, sipas organizatës, kanë përgjegjësi për dështimet në mbrojtjen e Arlinda Zekajt.

Në thirrjen e publikuar, Kolektivi kërkon që siguria dhe jeta e grave të trajtohen si çështje urgjente kombëtare, ndërsa femicidi të marrë vëmendjen dhe reagimin e duhur institucional.

“Të revoltuar/a, ne i japim afat 24 orë institucioneve që të fillojnë me shkarkime e hetime të zyrtarëve që e kanë dërguar me duart e tyre Arlindën drejt vrasjes”, thuhet në thirrje.

Organizata ka bërë të ditur gjithashtu se përfaqësuesit e partive politike parlamentare nuk janë të mirëseardhur në protestë. Sipas Kolektivit, kundërshtimi lidhet me atë që e cilëson si përpjekje të partive për ta shfrytëzuar politikisht vrasjen e grave.

“Revolta është e jona, dhe është e drejtuar kundër krejt juve. Nga ju lypet veprim, jo zaptim i zërit tonë popullor”, thuhet në reagim.

Komento: