Protesta para Qeverisë, kërkojnë paga të njëjta me Policinë e Kosovës

12:33 | 14 February 2019

Oficerët e Shërbimit Korrektues janë duke protestuar para Qeverisë së Kosovës. Ata po kërkojnë paga të njëjta me Policinë e Kosovës.

Pakënaqësitë me projektligjin e pagave ka bërë që oficerët e Shërbimit Korrektues të gjitha burgjeve të Kosovës të protestojnë para Qeverisë ku kanë kërkuar ngritje të koeficientit nga 1.85 në 2.2.

Me pankarta “Ndal diskriminimin ndaj Shërbimit Korrektues të Kosovës” dhe “Kërkojmë koeficient të njëjtë me Policinë e Kosovës”, oficerët ju kanë bërë thirrje presidentit Hashim Thaçi të mos e nënshkruajë ligjin për paga.

Kryetari i Sindikatës së Shërbimit Korrektues, Zenun Sadikaj, ka thënë se ata janë anashkaluar vazhdimisht dhe se janë viktimë e njerëzve, siç i cilëson ai të paditur.

Ai i bëri thirrje ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri që të kthejë vëmendjen kah Shërbimi Korrektues, pasi dhe ata meritojnë trajtim më të mirë dhe jo të lobojë vetëm për gjykatësit dhe prokurorët.

Ndërsa, nënkryetari i kësaj sindikate, Frashër Raci i paraqiti disa kërkesa të tyre që janë rritja e koeficentit dhe pagesa e rrezikshmërisë.

Komento: