
Situata e tensionuar në Shqipëri, pas protestave të studentëve dhe përplasjeve me Policinë, ka nxitur reagimin e kryetarit të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili ka rekomanduar shtyrjen e ekskursionit të maturantëve të Gjimnazit “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.
Lladrovci ka shprehur shqetësimin për sigurinë e nxënësve, duke vlerësuar se zhvillimet aktuale në Shqipëri mund të paraqesin rreziqe gjatë qëndrimit të tyre atje.
Përmes një reagimi publik, ai ka kërkuar që ekskursioni të organizohet në një periudhë më të përshtatshme, brenda këtij viti shkollor, kur të mos ketë shqetësime për sigurinë e maturantëve.
“Rekomandimi im është të shtyhet ekskursioni për një kohë të përshtatshme, brenda këtij viti shkollor, kur siguria juaj është e padiskutueshme dhe pa rreziqe”, ka shkruar Lladrovci.
Ai ka theksuar se ekskursioni është një nga përvojat më të rëndësishme për maturantët, por se siguria e tyre duhet të ketë përparësi ndaj çdo aktiviteti tjetër.
Sipas tij, situata e tensionuar në Shqipëri mund të krijojë rrethana të paparashikueshme, ku të rinjtë mund të përfshihen pa dashje në ngjarje të padëshiruara.
“Prania juaj, me atdhetarizmin si traditë, fare lehtë mund të provokoheni dhe të bëheni pjesë e lajmeve të padëshirueshme. Në këtë rast, jeta dhe siguria juaj për mua është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër në botë”, ka deklaruar ai.
Kryetari i Drenasit ka bërë të ditur gjithashtu se edhe prindërit kanë shprehur shqetësime për sigurinë e fëmijëve të tyre, duke mbështetur idenë e shtyrjes së ekskursionit.
“E di se energjia juaj si maturantë është mbresëlënëse, atdhedashuria dhe mosha juaj nuk guxon të provokohet apo të rrezikohet nga situatat që mund të ndodhin gjatë ekskursionit”, ka shtuar Lladrovci.
Rekomandimi vjen në kohën kur Shqipëria po përballet me protesta dhe tensione, ndërsa autoritetet janë angazhuar për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.
Deri më tani, bëhet fjalë për një rekomandim të kryetarit të komunës dhe jo për një vendim përfundimtar për anulimin apo shtyrjen e ekskursionit.