Protestat e serbëve, Sveçla njofton për mbylljen e pikës kufitare në Bërnjak

21:51 | 06 Shtator 2024
protestat-e-serbeve,-svecla-njofton-per-mbylljen-e-pikes-kufitare-ne-bernjak

Ministri i Punëve të Mbrendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka njoftuar se është mbyllur për qarkullim pika kufitare në Bërnjak, pas destabilizimit të gjendjes në atë pikë.

Përmes një reagimi në Facebook, Sveçla ka deklaruar se grupe ekstremistësh të maskuar të cilët në prani të policisë së Serbisë, brenda territorit të Serbisë, kanë ndaluar veturat, ku sipas tij, një familjes e cila po udhëtonte për në Gjermani, i është pamundësuar vazhdimi i udhëtimit dhe është kthyer prapa me forcë.
Ai ka thënë se pika kufitare në Bërnjak do të mbyllet për qarkullim deri në stabilizimin e qarkullimit normal.
“Pas paralajmërimit të grupeve ekstremiste serbe për protesta sot pas orës 18:00, janë vërejtur grupe ekstremistësh të maskuar të cilët në prani të policisë së Serbisë, brenda territorit të Serbisë, kanë ndaluar veturat dhe legjitimuar udhëtarët.Para pak çastesh, një familjes e cila po udhëtonte për në Gjermani, i është pamundësuar vazhdimi i udhëtimit dhe është kthyer prapa me forcë”.

“Kjo po ndodhë para syve të policisë së Serbisë, fakt ky që e bën atë bashkë fajtore. Këto akte fashiste ku serbët lejohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë kurse shqiptarët pengohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë, janë absolutisht të papranueshme për ne.

Prandaj, deri në stabilizimin e qarkullimit normal, të pa pengueshëm dhe të sigurtë për të gjithë udhëtarët, pika kufitare në Bërnjak mbyllet për qarkullim”, ka shkruar Sveçla.

Komento: