Protestat e studentëve, zbulohet përplasja Kurti-Rama përmes mesazheve telefonike

18:57 | 07 January 2019

Edi Ramës, kryeministrit të Shqipërisë, nuk i kishin pëlqyer deklaratat publike të disa zyrtarëve të Vetëvendosjes, në fillim të muajit dhjetor. Ai ishte duke u përballur me protestat e studentëve, të cilat po rriteshin në numër. Ende përballet me to.

Por, e kishte nervozuar shumë edhe një fakt tjetër. Shfrytëzimi i kësaj proteste nga ana e degës së VV-së në Tiranë. Konkretisht, daljet publike të Hysamedin Ferrajt dhe Boiken Abazit.

Që të dytë në paraqitje të ndryshme publike kishin kërkuar rrëzimin e Qeverisë Rama dhe kishin bërë thirrje për rritjen e numrit të protestuesve, ka konfirmuar për Insajderin një burim i informuar mirë për këtë rast.

Paraqitjet e tyre, Rama i kishte vlerësuar si veprime që politizojnë protestën e studentëve. Këto veprime ndikuan që Rama dhe Kurti, dy politikanët që kishin në të kaluar bashkëpunim të shkëlqyeshëm, të zhyteshin në një konflikt disa minutash, nëpërmjet mesazheve telefonike.

Rama i kishte vlerësuar si të rëndësishëm këto dy figura, të cilat janë jo aq me peshë politike në Kosovë e Shqipëri.

Rama kishte dyshimet se “Vetëvendosje”, po punonte kundër tij, duke cytur Ferrajn e Abazin për t’u deklaruar kundër Qeverisë së tij.

I kishte dërguar një SMS shefit të tyre në Kosovë, Albin Kurtit. I kishte kërkuar llogari atij për paraqitjet e vartësve të tij, të Tiranës. I kishte cilësuar si nxitës të protestave.

Kurti ia kishte kthyer, në stilin e tij. I kishte thënë se duhet shikuar vetën në pasqyrë për ta zbuluar nxitësin e protestave të studentëve. Kjo e kishte revoltuar Ramën. Shkëmbimi i SMS-ve kishte vazhduar.

Në fund, Kurti i kishte thënë Ramës se mund ta ndihmonte me këshilla për të zgjidhur problemet që i ka. Rama kishte shfrytëzuar këtë, për t’ia kthyer “goditjen”.

I kishte thënë se udhëheq një parti jo aq të madhe dhe se nuk ka kapacitetet për ta bërë këtë: Për ta ndihmuar një parti të madhe siç është PS-ja.

Komento: