Beogradi tani është në valën e protestave të qytetarëve kundër presidentit të vendit, Aleksander Vuçiq.
Bashkimi Evropian konsideron se ëshë e drejtë e qytetarëve që të protestojnë, porse parlamenti “është vendi ku duhet të zgjidhen të gjitha çështjet e hapura”.
Kështu deklaroi zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiq, pas protestave që u mbajtën në fundjavë në Beograd.
“Parlamenti është vendi ku duhet të ketë hapësirë për diskutim, me qëllim që të gjenden zgjidhje të përbashkëta dhe të zgjidhen problemet e qytetarëve. Dialogu i strukturuar me shoqërinë civile është po ashtu i rëndësishëm”, tha Kocijançiq për gazetarët në Bruksel.
“Protestat duhet të mbeten të qeta dhe brenda ligjit, ashtu siç kanë qenë para kësaj fundjave. Qetësia dhe përmbajtja janë të domosdoshme”, tha Kocijançiq.
Protesta antiqeveritare në Beograd mbahen çdo të shtunë qysh më 8 dhjetor të vitit të kaluar.
Të shtunën e kaluar, disa protestues dhe udhëheqës të opozitës kanë hyrë në ndërtesën e Radio-Televizionit të Serbisë në Beograd, duke kërkuar hapësirë në televizionin publik.