
Një protestë është paralajmëruar për sot në orën 13:00 para Kuvendit të Kosovës nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, si reagim ndaj ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, e cila sipas tyre paraqet shtrembërim të fakteve historike.
Veteranët e konsiderojnë këtë ekspozitë të pasaktë dhe fyese, duke e akuzuar atë si përpjekje për relativizimin e krimeve serbe gjatë luftës në Kosovë. Ata thonë se përmbajtja e saj dëmton të vërtetën historike dhe cenon sakrificën e viktimave dhe dëshmorëve.
Gazmend Syla nga OVL-UÇK ka deklaruar se ekspozita ishte e mbushur me shpifje dhe, sipas tij, është financuar me paratë e qytetarëve. Ai theksoi se kjo përbën një përdhosje të historisë së luftës dhe të kontributit të atyre që ranë për liri.
Protesta ka marrë mbështetje edhe nga partitë opozitare. Partia Demokratike e Kosovës e ka cilësuar atë si një reagim të drejtë qytetar dhe kombëtar në mbrojtje të dinjitetit të viktimave dhe vlerave të luftës çlirimtare.
Në të njëjtën linjë është shprehur edhe ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka kundërshtuar çdo përpjekje për shtrembërimin e historisë së luftës në Kosovë. /Telegrafi/