Protestohet kundër ndotjes së ajrit

12:57 | 11 Dhjetor 2019

Protestë kundër ndotjes së ajrit dhe problemeve mjedisore.

Në Prishtinë u mbajt marshi “Çohu për të Drejtat e Njeriut” në kuadër të Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.

Ky aktivitet që u mbajt për të tretin vit me radhë u organizua nga Avokati i Popullit, në bashkëpunim me shoqërinë civile në Kosovë.

“Këtë vit kjo iniciativë kishte për qëllim dërgimin e një mesazhi për një angazhim më të shtuar, gjithëpërfshirës dhe ndërinstitucional për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, me theks të veçantë për mbrojtjen e së drejtës për një mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm, si një nga të drejtat themelore të njeriut, përmes të cilit iu bë thirrje Institucioneve të Republikës së Kosovës për ndërmarrjen e masave më efektive për mbrojtjen e ambientit dhe të së drejtës së qytetarëve për një mjedis të shëndetshëm jetësor”, thuhet në njoftimin e Avokatit të Popullit pasmbajtjes së këtij marshi

Në këtë ngjarje u ngritën shqetësimet mbi problemet kryesore mjedisore me të cilët po ballafaqohen qytetarët e vendit si: ndotja e ajrit, mungesa e hapësirave të gjelbëruara, degradimi i tokës dhe i lumenjëve, ndërtimi i hidrocentraleve dhe mungesa e ujit të pijshëm, moszbatimi i Ligjit për mbrojtje nga zhurma, keqmenaxhimi mbeturinave e probleme të tjera mjedisore, duke kërkuar nga institucionet kompetente ndërmarrjen e masave imediate për adresimin e këtyre problemeve mjedisore.

Komento: