Protestojnë punëtorët e MKRS-së: Objekti i ri nuk i plotëson kushtet për punë

10:43 | 05 November 2019

Punëtorët e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), nuk po pajtohen assesi me vendimin e Qeverisë për ta liruar objektin ku shërbyen deri më tani.

Ata këtë vendim sot e kanë kundërshtuar përmes një proteste 10 minutëshe.

Punëtorët e MKRS-së nga ora 10 sot kanë protestuar para objektit të kësaj ministrie.

Kryetari Sindikatës së Punëtorëve të MKR-së, Labinot Berisha ka thënë se objekti tjetër që u është ofruar punëtorëve të kësaj ministrie nuk i plotëson aspak kushtet për punë.

“Kjo protestë ka për qëllim që të ngrisë zërin ndaj vendimit të qeverisë që është ndërmarrë për largimin e shërbyesve civilë nga ky objekt, dhe që objekti tjetër nuk i plotëson aspak kushtet e punës”, ka thënë ai, përcjell ORAinfo.

Berisha nuk ka folur për hapat e mëtejmë në rast se kërkesa e tyre nuk do të merret parasysh nga organet vendimmarrëse.

“Sot kjo është vetëm një fillim i një pakënaqësie”, ka thënë ai.

Ndryshe, me vendim të Qeverisë së Kosovës, ndërtesa ku për vite me radhë funksionoi Ministria e Kulturës, do t’i kalojë në shfrytëzim Zyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës. /ORAinfo/

Komento: