PSD presion qeverisë, bën peticion online për pagën minimal

14:07 | 25 April 2019

Një peticion online është krijuar nga PSD.

Partia Socialdemokrate ka ftuar qytetarët që të nënshkruajnë peticionin online përmes së cilit i kërkohet Qeverisë së Kosovës që të rrisë pagën minimale në Kosovë. Deputeti i këtij subjekti politik, Frashër Krasniqi, tha se këtë nismë duan ta zhvendosim nga zyra e PSD-së tek angazhimi i drejtpërdrejt i qytetarëve.

Ai tha se qytetarëve do t’ju marrë vetëm 2 minuta kohë për të nënshkruar këtë peticion, por që me këtë veprim mund të ndikojnë në jetën e shumë prej atyre të cilët sot jetojnë me pagë minimale prej 135 deri në 170 euro.

Krasniqi u shpreh se me këtë peticion synojnë që të bëjnë presion tek kryeministri Haradinaj që të realizojë atë për të cilin ai ka shprehur edhe gatishmëri, pra rritjen e pagës minimale. Sipas tij, kanë kaluar 3 muaj që kur e kanë hapur këtë temë, por asgjë nuk është ndërmarrë.

“Prej se e kemi hapur ne këtë temë kanë kaluar 3-4 muaj dhe për këta 3-4 muaj ka mundur të rritet paga minimale sikur të përshpejtohej më pak puna e qeverisë. Pra, kjo është ideja na jemi të interesuar që të bëjmë presion dhe të shkojë më shpejtë kjo punë dhe mos ta lëmë në harresë siç i kemi lënë në harresë jashtë agjendës ditore të qeverisë plot projekte të tjera të rëndësishme për të cilat qoftë kryeministri, qoftë ndonjë zyrtar shtetëror ka premtuar që do të bëhet”, deklaroi Krasniqi.

Në konferencën e PSD-së është paraqitur edhe zëdhënësja, Natyra Kuçi, e cila tha se koncepti i tyre i pagës minimale parashikon kalimin nga pagë për mbijetesë në një pagë për të jetuar. Ajo tha se propozimi i socialdemokratëve për ta bërë pagën minimale 250 euro do të ishte një hap konkret që do të përmirësonte jetën e qytetarëve.

Sipas saj, me rritjen e pagës minimale, e cila nuk është ndryshuar prej tetë vitesh, parandalohet edhe shfrytëzimi i padrejtë i punëtorëve, ndërsa do të rritej edhe mirëqenia e tyre. Kuçi u shpreh se paga minimale e tanishme nuk mjafton as për nevojat bazike të të ushqyerit.

“Paga minimale në Kosovë nuk është përditësuar që rrafsh tetë vite. Gjatë këtyre tetë viteve inflacioni në çmim ka ndikuar që shporta e produkteve bazike të jetë më e zbrazët me kalimin e kohës. Me pagën minimale të tanishme 135 euro për personat nën moshën 35-vjeçare dhe 170 euro për personat mbi moshën 35-vjeçare do të thotë 4 deri në 6 euro në ditë këta persona i kanë për shpenzimet e tyre familjare. Me këtë shumë të parave nuk mund të plotësosh as nevojat më bazike për t’u ushqyer shëndetshëm dhe as nuk vjen në shprehje veshmbathja, higjiena, faturat dhe obligimet e tjera”, tha Kuçi.

Peticioni i Partisë Socialdemokrate mund të nënshkruhet duke klikuar tek ëëë.peticione.com dhe pasi të jepni disa prej të dhënave tuaja, përmes një e-maili do t’ju konfirmohet se e keni firmosur atë.

Komento: