Pse Aleksander Lumezi nuk e tha asnjë fjalë për “Aferën e Fajdeve”

19:03 | 26 May 2019

Lumezi asnjë fjalë për “Aferën e Fajdeve”.

Njeriu më i rëndësishëm i sistemit të drejtësisë, Kryeprokurori Aleksander Lumezi, s’e ka thënë asnjë fjalë për “Aferën e Fajdeve”, e cila ishte heshtur prej vitit 2013.

Zyrtarët e PDK’së kanë kërkuar hetime penale edhe ndaj atyre që e kanë fshehur këtë dosje. Nuk dihet nëse Kryeprokurori ka gisht në këtë skandal pasi s’e ka thënë asnjë fjalë ende.

Ku është Aleksander Lumezi, Kryeprokuror i Shtetit, njeriu që ka fuqinë më të madhe në sistemin e drejtësisë?

Prej se ka plasur “Afera e Fajdeve” ku përmenden edhe Kadri Veseli e Xhavit Haliti, Lumezi është bërë i padukshëm.

Ai nuk po del as para mediave qysh vepronte para se të plaske ky skandal. Nuk po i kthen as përgjigjet në pyetjet që po i dërgohen.

“Afera e Fajdeve” ka nisur të publikohet nga Koha Ditore, e cila ka siguruar video përmes të cilave një grup i strukturuar kriminal bën pazare, vendos fajde ndaj biznesmenëve të ndryshëm.

Në rastin konkret, viktimë kishte qenë Faton Dalladaku, një mjek që jeton në Gjermani, e që kishte ndërtuar Qendrën Kardiake të Kosovës, në pronë komunale, e dhënë nga shteti.

Xhavit Haliti ka kërkuar të procedohen penalisht edhe gjithë ata që e kanë heshtur këtë lëndë e cila ishte në duart e hetuesisë prej vitit 2013.

Kadri Veseli ka deponuar kallëzim penal ndaj gjithë atyre që ia kanë përmendur emrin si njeriu që qëndron prapa tyre. Ka thënë se largohet nga politika nëse vërtetohet se ka gisht në këtë skandal. Prokuroria dhe as Policia s’e kanë ftuar asnjëherë Veselin të dëshmojë për këtë rast në asnjë cilësi, qoftë edhe si i dëmtuar.

Aleksander Lumezi, kur ishte bërë Kryeprokuror i Shtetit, kishte premtuar se do të çrrënjoste korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Rezultatet në tri vitet e fundit tregojnë se asnjë zyrtar i lartë i Shtetit s’ka shkuar asnjë ditë burg pse ka keqpërdorur pozitën, ka vjedhur apo është marrë me veprimtari tjera korruptive.

Janë organizuar edhe protesta ku është kërkuar largimi i Aleksander Lumezit. Së fundmi, Lëvizja Vetëvendosje e ka quajtur lepur Lumezin dhe ka thënë se i njëjti është i nënshtruar i politikës.

Komento: