Pse duhet shkuar në zgjedhje parlamentare, deputeti i LDK-së tregon tri arsyet

20:44 | 08 July 2019

Abdixhiku ka treguar se pse duhet shkuar në zgjedhje parlamentare.

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se ka mjaft arsye për shkuarje në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Abdixhiku ka thënë se Kosova ndodhet në disa rrethana që mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë është bërë i natyrshëm.

“Kemi një mosfunksionalitet të institucioneve të Kosovës. Në radhë të parë Kuvendi i Republikës mbetet jofunksional për pjesën më të madhe të kohës. Ka pika të patrajtuara për muaj të tërë. Seanca që nuk arrijnë të kenë shumicën e thjeshtë. Dhe së fundmi edhe mbledhjet e Kryesisë dështojnë për shkak të mungesës së kuorumit. Rrjeshimisht është e natyrshme që vendi të ketë një Qeveri të shumicës që garanton mbarëvajtjen institucionale të kohës”.

Deputeti i LDK-së thotë se arsyeja e dytë pse duhet shkuar në zgjedhje është gjendja brenda koalicionit qeveritar.

“Gjendja politike, ekonomike, e politikës së jashtme, arsimit e gjyqësisë është bërë e padurueshme. Për shkak të skandaleve të mëdha që prodhohen vazhdimisht, aferave korruptive dhe papërgjegjshmërisë institucionale ndaj këtyre aferave shkuarja në zgjedhje është bërë një proces natyral”, tha ai në Dukagjini.

Abdixhiku ka thënë se arsyeja e tretë për rrëzimin e kësaj qeverie është rrethana e re politike e krijuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në raport me Ekipin Negociator.

“Kjo Qeveri, kjo shumicë parlamentare, ky Kuvend kanë bërë shkelje të rëndë kushtetuese duke krijuar një ekip negociator jo kushtetues duke deleguar kompetenca te një trup jokushtuetues duhet të prodhojë domosdoshmërisht pasojë, sepse kështu ka ndodhur çdoherë në Kosovë. Çdo Qeveri, çdo individ, çdo njeri, qoftë president apo tjetër në momentin e parë që është konstatuar shkelja kushtetuese ka dhënë përgjegjësi”, tha Abdixhiku

Komento: